E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia diskuton me qytetarët e Durrësit, oponencë TEC-it në Porto Romano

Krijohet sekretaria teknike. Specialistët kërkojnë vlerësim tjetër për ndikimin e TEC-it në mjedis
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me një komision qytetar të mbledhur me iniciativën e tij për të diskutuar më gjerësisht rreth ndikimit mjedisor të TEC-it të parashikuar në Porto Romano të Durrësit. Në këtë takim merrnin pjesë personalitete të shquara të fushave të ndryshme të qytetit të Durrësit, që kanë dhënë kontribute të vazhdueshme në fushat e mjekësisë, biznesit, inxhinierisë, ambientit etj. Në këtë takim, që ka zgjatur për rreth 3 orë, është diskutuar në lidhje me TEC- in që është parashikuar të ndërtohet në Porto Romano nga kompania italiane Enel. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se diskutimet e gjera me publikun që ka organizuar dhe do të vazhdojë të organizojë bashkia, kanë si qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në vendimet që duhet të merren për qytetin, për qytetarët dhe fëmijët e tyre, që janë e ardhmja e Durrësit. "Sensibilizimi i qytetarëve është tepër i nevojshëm dhe ndaj tyre duhet bërë sa më shumë transparente nga ekspertë të fushave që kanë lidhje me këtë industri, por edhe ekspertë të mjedisit se çfarë është TEC- i dhe nëse ai sjell më shumë përfitime, apo dëme për qytetin tonë", ka deklaruar Dako, duke shtuar se bëhet fjalë për interesat jetësore të një qyteti të tërë, ndaj janë qytetarët ata që duhet të përfshihen direkt në vendimmarrje në lidhje me ndërtimin ose jo të TEC-it. Më pas, pjesëtarët e komisionit qytetar kanë diskutuar në lidhje me ndikimet mjedisore të TEC-it dhe mendimet kanë qenë nga më të ndryshmet, ku ka pasur edhe rezerva ndaj TEC-it dhe mënyrës së paraqitjes së tij nga Enel. Gjithsesi, pjesëmarrësit në tryezë kanë përkrahur idenë që duhet kryer patjetër një ekspertizë mjedisore nga një institucion ndërkombëtar, që të tregojë në mënyrë realiste ndikimin në mjedis të këtij TEC- i.
Sekretaria teknike  
Me një konsensus të plotë, komisioni qytetar dhe kryebashkiaku Vangjush Dako kanë rënë dakord për krijimin e një sekretarie teknike të përbërë nga 5 vetë dhe të kryesuar nga nënkryetari i bashkisë, Adrian Çela dhe që do të ketë në përbërje ekspertë ligjorë dhe të mjedisit. Kjo sekretari do të punojë në realizimin e tre drejtimeve që janë; sensibilizimi i qytetarëve dhe bërja publike sa më shumë të jetë e mundur e këtij projekti në mënyrë që të kuptohet sa më qartë se çfarë është TEC- i; të ngarkojë një organizëm mjedisor ndërkombëtar ose shqiptar të pavarur që ti bëjë oponencë vlerësimit mjedisor të TEC-it që ka përgatitur Enel; si dhe të ngarkojë një organizëm prestigjioz mjedisor ndërkombëtar për të kryer në mënyrë të pavarur një studim mjedisor të kësaj zone ku të përcaktohet qartë edhe ndikimet në mjedis pikërisht për këtë zonë të TEC-it. Kjo sekretari teknike do ët mbajë lidhje të ngushta dhe do të zhvillojë takime të shumta me komisionin qytetar që do të jetë tashmë në rolin konsultativ në lidhje me problemin e TEC-it të Porto Romanos. Pasi të realizohen të gjitha këto hapa dhe të realizohen të tre objektivat që u përcaktuan në këtë mbledhje atëherë edhe qytetarët e Durrësit të përfaqësuar nga bashkia do të thonë fjalën e tyre përfundimtare në lidhje me TEC- in e Porto Romanos.

Email This Klikime: 19

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›