Bashkia e Durrësit diskuton planin rregullues të qytetit
Bashkia e Durrësit, në kuadër të përgatitjes së planit rregullues të të gjithë qytetit të Durrësit, i cili kryhet nga studiot Hydea dhe Atelier 4, plan rregullues i përfshirë në projektin LAMP, ka organizuar një konsultim të gjerë me grupet e interesit në pallatin e kulturës A. Moisiu, në Durrës. Në këtë diskutim merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtuesi i projektit LAMP, Hari Baral, ekspertë të fushave të ndryshme si ajo e ekonomisë, urbanistikës, transportit, mjedisit, ndërtues, intelektuale e qytetarë të Durrësit.
Ky diskutim, pas një paraqitjeje të zgjeruar të projektit LAMP nga ana e drejtuesit të tij Baral u zgjerua në disa tema që kishin lidhje me planin rregullues të qytetit si planifikimi urban, mjedisi, transporti, ekonomia urbane dhe shërbimet. Po kështu të ftuarit zhvilluan një sërë diskutimesh që u përqendruan rreth planeve për zhvillimin e qytetit. Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë Vangjush Dako dekalroi se ky plan rregullues i qytetit është një plan strategjik për zhvillimin e qytetit që do të shtrihet në një diapazon 25 vjeçar: Kemi organizuar këtë diskutim me grupet e interesit në lidhje që këto grupe të kontribuojnë sa më shumë në këtë plan rregullues të të gjithë qytetit i cili është plan strategjik zhvillimi për qytetin tonë dhe një plan që rregullon të ardhmen e këtij qyteti dhe që do të orientojë investimet që do të bëhen në Durrës. Plani rregullues i qytetit do të përfundojë në dhjetor të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe kohore ne do të jemi krejtësisht transparent dhe të hapur për sugjerimet e të gjitha grupeve të interesit dhe qytetarët në lidhje me këtë plan rregullues dhe për këtë do ët zhvillohen një sërë takimesh ët tjera publike. Implementimi i tij parashikohet të fillojë vitin e ardhshëm dhe ka një diapazon 25 vjeçar gjë që realizon rrugën e duhur të realizmit të investimeve dhe për pasojë zhvillimin e qytetit tonë në të ardhmen. Po kështu duhet të kemi parasysh që ky plan rregullues i qytetit do të rimarrë në shqyrtim edhe planin urbanistik të qendrës së qytetit që penalizon ndërtuesit në qytetin tonë dhe ka shkaktuar bllokimin e ndërtimeve në këtë zonë duke penalizuar një sektor të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit. Projekti LAMP financohet nga Banka Botërore dhe po aplikohet në katër Bashki që janë ajo e Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe Kamzës. Ky projekt ka një fond prej 1 milion dollarësh me anë të të cilit do të hartohen planet dhe rregulloret e zhvillimit strategjik urban për këto katër qytete. Nga ky fond i përgjithshëm rreth 270 000 dollarë janë përcaktuar për hartimin e planit rregullues të qytetit të Durrësit që përfundon në fund të vitit dhe në vitin 2010 pritet të fillojë zbatimi që shtrihet në një afat kohor 25 vjeçar.