E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelenë, sekretarja e këshillit bashkiak, kallëzim penal ndaj kreut të bashkisë

Sekretarja e Këshillit Bashkiak të Tepelenës, Arta Shaha ka depozituar në organin e akuzës së Gjirokastrës, kallëzimin penal për shpërdorim detyre kundrejt kryebashkiakut tepelenjot. Ky veprim është justifikuar nga ana e Shahajt, pasi ajo është shkarkuar në mënyrë antiligjore nga posti aktual prej kreut të bashkisë, Sevo Mici. Për gazetën SOT, zonja Shaha e ka justifikuar aktin e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare nga ana e Micit për arsye politike. Duke qenë se pikëpamjet e mia janë të majta, zoti Mici gjeti rasti e mungesës së një dite të vetme në punë, që të urdhërojë Zyrën e Financave në Bashki të më ndërpresë marrëdhëniet e mija financiare, është shprehur sekretarja e Këshillit Bashkiak, sipas së cilës, megjithëse është kompetencë e Këshillit Bashkiak zgjedhja e sekretarit, e njëjta kompetencë është edhe shkarkimi i tij, çka do të thotë se vetëm legjislativi vendor e ka këtë të drejtë. Këshilli Bashkiak i Tepelenës me 15 këshilltarë i ndarë mes të majtës dhe të djathtës, ka refuzuar me shumicë votash para disa ditëve propozimin e kryebashkiakut Mici, për shkarkimin e sekretares së Këshillit Bashkiak duke e quajtur të paargumentuar motivacionin e paraqitur. Veç kësaj, edhe prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera e ka quajtur ilegjitim vendimin e kryebashkiakut tepelenjot për shkarkimin e sekretares së Këshillit Bashkiak. Të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për ripërtëritjen e marrëdhënieve financiare për sekretaren e Këshillit Bashkiak të Tepelenës nga ana e Sevo Micit, i cili qëndron stoik në vendimin e marrë. Ai e justifikon këtë vendim me mungesat e herëpashershme në punë të sekretares, shumica e të cilave sipas tij kanë qenë pa arsye. Ndërsa zonja Shahaj është shprehur se është larguar nga puna vetëm një ditë dhe kjo ka ndodhur pasi ka qenë e sëmurë. Drejtësia është ajo që duhet të thotë fjalën e vet për këtë padrejtësi që më bëhet vetëm për çështje politike, është shprehur Shahaj. Në mungesë të një reagimi nga ana e krerëve lokalë socialistë të Tepelenës nga frika e shkarkimit të tyre prej vendeve të tyre të punës nga administrata aktuale ku janë të punësuar, ka reaguar për këtë çështje anëtari i Asamblesë së PS, Florijan Hysi njëkohësisht kryetari i PS të Gjirokastrës. Ky i fundit ka komentuar vendimin e shkarkimit të sekretares së Këshillit Bashkiak të Tepelenës si një akt i pastër i luftës politike me dimensione hakmarrëse. Është një turp i madh që një kryetar Bashkie të shkelë ligjin nr 8652 për riorganizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore  ku neni 37 pika 1 shprehet qartë se sekretari i këshillave komunale dhe bashkiake, shkarkohet dhe emërohet në bazë të propozimit të kryetarit të Këshillit të Bashkisë apo Komunës-është shprehur zoti Hysi. Ky i fundit ka vënë edhe një herë theksin se kjo është politika e përjashtimit nga vendet e punës që ka aplikuar PD prej katër vitesh në dëm të simpatizantëve dhe mbështetësve të PS e cila do të marrë fund në 28 qershor.

Last Updated on Thursday, 02 April 2009 11:12

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›