E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi uron festën e Fiter Bajramit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u uron Festën e Fiter Bajramit besimtarëve myslimanë shqiptarë, kudo që ndodhen. Në mesazhin e urimit dërguar me këtë bashkësisë myslimane të Shqipërisë, kreu i shtetit shqiptar thekson se "është dëshirë dhe kënaqësi e veçantë t‘u përcjell gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, kudo që ndodhen, urimet më të mira e më të përzemërta me rastin e Festës së Fiter Bajramit". Presidenti në mesazhin e tij është shprehur se dëshiron që të jetë pranë qytetarëve për të ndarë me ta vlerat e rralla njerëzore të mirësisë dhe dashurisë, ndershmërisë dhe tolerancës, ndihmës dhe sakrificës për të gjithë njerëzit në nevojë. "Uroj që kjo ditë e kulmit të pastrimit dhe kthjelltësisë shpirtërore, pas një muaji të madhërishëm agjërimi e përkushtimi, t‘ju ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, me zemrat plot dashuri për familjet e të afërmit, me më tepër ndjenjë atdhedashurie", thotë Topi. Presidenti shprehet se "harmonia dhe toleranca, përjetimi së bashku i festave të njërit-tjetrit dhe adhurimi për të Plotfuqishmin përbëjnë visaret e pashembullta të bashkëjetesës fetare të kombit tonë, virtyte që ne i kemi trashëguar brez pas brezi ndër shekuj nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë edhe mozaikun e vlerave të familjes së përbashkët europiane, ku synojmë të hyjmë së shpejti".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›