Kryeministri: Do dyfishojmë prodhimin bujqësor
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, me gjatësi 9 kilometra dhe investim të buxhetit të shtetit me vlerë rreth 65 milionë lekë. Në takimin me banorë të Mamurrasit, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe autoritete të qeverisjes vendore, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm në aspektin turistik, pasi lidh këtë zonë dhe afron Mamurrasin, Kurbinin dhe Krujën me bregdetin, por ndihmon edhe fermerët e zonës për të arritur më shpejt dhe më me lehtësi tregun. Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të shumëfishuar përpjekjet, ndihmën dhe investimet për zhvillimin e bujqësisë. "Koncepti ynë është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme", tha Berisha.