E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, 1303 ankesa për prishjen e objekteve pa leje



Emanuela Sako

Pranë Bashkisë së Tiranës gjatë këtij viti janë depozituar 1303 ankesa nga qytetarët për prishjen e objekteve apo pezullimin e punimeve. Ankesat e depozituara në Bashki janë për veprimet e kryera nga Inspektorati i Ndërtimit. Mirëpo Inspektorati mësohet se ka zbatuar rregulloren që është vendosur nga specialistët e Bashkisë së Tiranës, për të gjitha objektet që pengojnë zhvillimin dhe infrastrukturën e qytetit. Ankesat janë nga të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, ku një pjesë e tyre kanë përfunduar procesin e shqyrtimit, ndërsa 133 raste janë ende në proces. Prishja dhe pezullimi i objekteve në disa zona të ndryshme të kryeqytetit ka ardhur si pasojë e zbatimit të projekteve të Bashkisë për Tiranën dhe për ato objekte që janë bërë pengesë të zhvillimit urbanistik të qytetit.
Rastet
Duke u nisur nga numri i ankesave të depozituara, vendin e parë e zë Njësia Bashkiake Nr.5 me 214 raste. Vendin e dytë për numër ankesash e zë Njësia Bashkiake Nr 2, me 201 ankesa të depozituara, ndërsa numrin më minimal e ka Njësia Bashkiake Nr.3 me 71 ankesa. Inspektorati i Ndërtimit ka detyrë që të kryejë
inspektime dhe kontrolle ndaj subjekteve ndërtues dhe të verifikojë në terren. Gjithçka realizohet në bashkëpunim me të gjitha njësitë bashkiake, të cilat kryejnë verifikimet e para. Inspektorati kryen inspektime mbi të gjitha objektet me dhe pa leje, për të konstatuar zbatimin e rregullores dhe shkeljet ligjore. Për objektet pa leje urdhërohet menjëherë pezullimi i ndërtimit dhe ndiqen të gjitha hapat e përcaktuara në ligj.
Objektet
Inspektorati i Ndërtimit kryen kontrolle edhe në rastet kur objektet janë me leje. Për objektet me leje ky institucion verifikon dokumentacionin tekniko-ligjor dhe zbatimin e kushteve të sheshit dhe lejes së ndërtimit të objektit në ndërtim; ndryshimet në vendosje; ndryshimet në përmasa dhe volum;
ndryshimet në arkitekturë, si dhe mungesa në dokumentacion. Gjithashtu specialistët kontrollojnë kantierin e ndërtimit, sigurimin teknik etj. Vetëm një ditë më parë Inspektorati i Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës nuk ka lejuar ndërtimin e një objekti pa leje në rrugën e Elbasanit. Objekti kishte nisur të ndërtohej pa leje në zonën përballë Ambasadës Amerikane dhe ky institucion nuk ka lejuar vazhdimin e punimeve. Objekti nuk ka pasur një leje ndërtimi nga autoritetet përkatëse dhe nuk ka një studim urbanistik për zonën. Inspektorati i Ndërtimit ka dorëzuar dje pranë pronarëve të godinës në ndërtim, urdhrin për prishjen e këtij objekti dhe më pas ka nisur punën për prishjen e tij. Ndërkaq, uniformat blu kanë qenë të pranishme për çdo situatë konfliktuale që mund të krijohej. Puna për prishjen e tij duket se do të zgjasë pasi hapësira që zinte kjo godinë është e konsiderueshme.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›