Konkurrenca e pandershme, bizneset “spiune” të shtetit përjashtohet nga gjobat
Ervin KOÇI
Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur një metodë origjinale për të gjitha rastet abuzime të konkurrencës së pandershme, të krijimit të skemave monopol, oligopol apo kartel. Metoda bazohet mbi krijimin e bashkëpunimit mes këtij Autoriteti dhe subjekteve të biznesit, të cilat nëse do të denoncojnë rastet abuzive të mësipërme do të bëhen përfitues të lehtësirave të ndryshme fiskale. Në rregulloren e re “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”, Autoriteti i Konkurrencës ka parashikuar që të gjitha subjektet private që bëhen bashkëpunëtore (informatore), të denoncimit të rasteve kur vërehen pozita monopol ose kartel në treg, do të përfitojnë duke iu reduktuar ose ulur gjobat e ndryshme që mund të kenë marrë. Sipas kësaj rregulloreje komisioni mund të japë lehtësim të plotë nga çdo gjobë, nëse një ndërmarrje është e para që ndihmon në zbulimin dhe ndalimin e marrëveshjes së të ndaluar.
Rregullorja
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e fundit ka miratuar rregulloren e re “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”. Sipas një deklaratë të Autoritetit, “objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i metodologjisë, me anë të së cilës Autoriteti i Konkurrencës llogarit gjobat që vendosen ndaj ndërmarrjeve, të cilat shkelin Ligjin ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’, si dhe lehtësimin e tyre nga gjobat në rastet e bashkëpunimit me Autoritetin për identifikimin e marrëveshjeve të ndaluara”. Pjesa më e rëndësishme për biznesin në këtë rregullore është mundësia që ju jepet ndërmarrjeve për të përfituar heqjen e plotë ose të pjesshme të gjobës në rast se bashkëpunojnë me Autoritetin. Sipas kësaj rregulloreje, Komisioni mund të japë lehtësim të plotë nga çdo gjobë, nëse një ndërmarrje është e para që ndihmon në zbulimin dhe ndalimin e marrëveshjes së të ndaluar (si rastet kartel), si dhe në përcaktimin e personave përgjegjës duke siguruar prova dhe të dhëna, të pazotëruara më parë nga Autoriteti, që i mundësojnë këtij të fundit të fillojë një hetim në lidhje me një marrëveshje të ndaluar ose të zbulojë një shkelje në bazë të Ligjit.
Përfituesit
Ndërmarrja ose subjekti i biznesit që kërkon lehtësim të plotë nga gjobat, paraqet pranë Autoritetit një kërkesë për t’u konsideruar e imunizuar plotësisht ose pjesërisht nga gjoba dhe autoriteti në bazë të ligjit ruan anonimatin e ankesës apo denoncimit të saj. Me përfundimin e procedurave hetimore, Komisioni i Konkurrencës vlerëson imunitetin nga gjoba për ndërmarrjen/ndërmarrjet që bashkëpunojnë dhe vendosjen e gjobës për ndërmarrjet e tjera pjesëmarrëse në kartel, gjoba që në bazë të ligjit janë të përcaktuar nga 2-10 për qind të xhiros vjetore, një shifër e konsiderueshme kjo për tu marrë në konsideratë nga ndërmarrjet që marrin pjesë në marrëveshje të ndaluara. Rregullorja “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre”, bëhet në kuadër të përafrimit dhe plotësimit të legjislacionit me atë të BE-së, si dhe rritjes së bashkëpunimit me aktorët e tregut. Kjo rregullore rrit transparencën ndaj publikut dhe komunitetit të biznesit. Ajo përcakton metodologjinë, me të cilën Autoriteti i Konkurrencës llogarit gjobat që vendosen ndaj ndërmarrjeve që shkelin ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, si dhe lehtësimin e tyre nëse bashkëpunojnë për identifikimin e marrëveshjeve të ndaluara. Rregullorja sapo ka hyrë në fuqi.
24 Shtator 2009