E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, monedha shqiptare më e pambrojtura në rajon ndaj euros



Ervin KOÇI

Shqipëria është i vetmi vend në rajon monedha kombëtare e të cilit është më e dobëta kundrejt euros. Arsye kryesore për këtë dobësim është mungesa e marrjes së masave në kohën e duhur nga qeveria jonë, për të ruajtur në tregun valutor stabilitetin e monedhës tonë ndaj asj evropiane. Të gjitha monedhat e rajonit tonë që i nënshtrohen regjimit të kursit të lirë, u dobësuan gjatë periudhës janar-mars, por pas kësaj, ndërhyrjet energjike të qeverive përkatëse, të cilat shkurtuan shpenzimet, sollën stabilitet dhe tashmë këto monedha kanë marrë rrugën drejt forcimit. Dinari i Serbisë humbi 23 për qind të vlerës gjatë këtij viti dhe qe monedha me ecurinë më të keqe në rajon. Tendenca zhvlerësuese e leit të Rumanisë dhe florintës së Hungarisë, mori fund pas ndërhyrjes së FMN-së në këto vende, si dhe pas një marrëveshjeje mes bankave të mëdha rajonale, të cilat u angazhuan të mos tërhiqen nga Rumania. Situata në Bosnjë, Maqedoni dhe Bullgari mbetet e pandryshuar. Këto vende zbatojnë regjimin e kursit fiks të këmbimit të lidhur me markën gjermane/euro. Leku gjendet në një situatë të veçantë në krahasim me monedhat e tjera të rajonit. Ekonomia shqiptare nuk është në borxhe me pjesën tjetër të botës, siç ishin Rumania e Hungaria dhe sistemi bankar nuk ka tërhequr investimet nga Shqipëria. Rënia e të ardhurave nga eksportet dhe remitancat vlerësohet se vetëkorrigjohen automatikisht në ulje importesh. Në këto kushte, problemi kryesor me lekun mbetet deficiti i lartë buxhetor, i cili këtë vit ka kapërcyer nivelin prej 6.3 për qind, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë.

Kursi i këmbimit

Monedha evropiane, vazhdon të forcohet në tregun valutor vendas. Dje euro arriti në kuotën më të lartë të vitit ndaj monedhës shqiptare, lekut, pas forcimit që ka pasur gjatë këtij muaji. Në tregun valutor dje një euro blihej mesatarisht me 134,5 lekë dhe shitej me 135,1 lekë, ndërsa para një jave blihej me 131,5 lekë dhe shitej me 132 lekë. Ndërkohë, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, një euro u ble në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 124 lekë dhe është shitur me 124,5 lekë. Euro ka qenë më e fortë ndaj lekut edhe kundrejt një muaji më parë, pasi ishte 3-4 pikë më lartë se leku në këmbimet valutore. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8, ndërsa gjatë vitit të kaluar, euro e kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, kur blihej me 125,3 lekë. Kambistët shpjegojnë se forcimi i euros vjen si pasojë e mungesës së saj të dukshme në treg. Sipas tyre, kohët e fundit ekuilibrat e tregut të këmbimit janë prishur, pasi kërkesa për euro është më e madhe se oferta, dhe kjo ka shkaktuar rënien e vlerës së lekut dhe mbiçmimin e monedhës evropiane.

Pozita e lekut

Zhvlerësimi i lekut është me pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit, pasi ka sjellë shtrenjtim të mallrave të importit dhe rrjedhimisht të çmimeve në treg. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro paguajnë më shumë. Klientëve shqiptarë të bankave u është thënë se këstet e pagesave të kredive në euro janë të lidhura në mënyrë të drejtë me euriborin. Ky i fundit aktualisht ndodhet në minimumet historike, por një gjë e tillë në Shqipëri përkthehet në kahun e kundërt. Kredimarrësve shqiptarë, që e marrin pagën në lekë, u rritet artificialisht sasia e parave që duhet të paguajnë për këstet e tyre në euro si pasojë e zhvlerësimit të lekut. Për të stabilizuar situatën, BSH-ja u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë që të kreditojnë në lekë dhe jo në valutë. Por, institucioni mbikëqyrës bankar nuk ka ndërhyrë deri tani tek norma bazë e interesit të lekut, duke e lënë të pandryshueshme në 5.75% koston bazë të monedhës kombëtare.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›