E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, dëshmojnë pesë dëshmitarë



Në seancën e djeshme, në procesin e “Qafë-Gjashtës” dëshmuan pesë dëshmitarë të Akuzës. Katër ishin banorë të zonës ku ka ndodhur dhe masakra në vitin 1997 dhe dëshmitari tjetër kishte qenë aso kohe kuzhinier i spitalit. Për këtë të fundit përfaqësuesit e Akuzës kërkuan kundërshtimet e thënieve pasi deklarimet e ditës së djeshme nuk përkonin me ato të dhëna kohë më parë kur dosja ishte në fazën e hetimeve. Ndërsa dëshmitarët e tjerë kanë dhënë vetëm pak detaje mbi ngjarjen, pasi jo vetëm ka kaluar shumë kohë, por duket se nuk kujtojnë dhe shumë detaje nga dita e ngjarjes. Të pandehurit e këtij procesi janë Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezi dhe Ristan Lapa. Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas prokurorisë, më 4 mars 1997, disa efektivë të policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, kanë rënë në një pritë të armatosur në vendin e quajtur Qafë-Gjashta. Ata po ktheheshin drejt Vlorës, pasi nuk kishin mundur të rivinin në funksion Komisariatin e Policisë së Sarandës.

Tiranë

Jaho Mulosmani drejt gjykimit të shkurtuar

Procesi i dytë ndaj Jaho Mulosmanit ka gjasa të zgjasë vetëm disa seanca. Edhe pse vetë Mulosmani ka preferua të mos jetë i pranishëm, duket se nëpërmjet avokatit të tij, Vladimir Meçi, do të kërkojë gjykim të shkurtuar. Por, në lidhje me këtë kërkesë, pritet të vendoset seancën e ardhshme, pasi përfaqësuesit e Akuzës nuk ishin prezent dhe gjyqtari Petrit Çomo u detyrua ta shtynte seancën për në tetor. Kjo dosje ka nisur gjykimin në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë që në maj të këtij viti. Jaho Mulosmani akuzohet për vrasje të dyfishtë në Tropojë. Jaho Mulosmani do të rigjykohet për dosjen e vrasjes së shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, në vitin 1999, në Tropojë. Mulosmani ndodhet në burg pasi është dënuar me burg përjetë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari më 12 shtator të vitit 1998 në Tiranë. Vendimi për rigjykimin e çështjes ndaj Mulosmanit u mor pak kohë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi parregullsi në shqyrtimin e saj në shkallët më të ulëta të Gjyqësorit. Gjykata e Shkallës së Parë dhe më pas ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor dhe dënuar me burg përjetë Jaho Mulosmanin për vrasjen me armë zjarri të shtetasve Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurtit në vitin 1999 në qendër të Bajram Currit. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja e rëndë kishte për motive hakmarrjen.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›