E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Kriza financiare do ti shtrijë pasojat për shumë vite



Kriza globale financiare ka gjasa që të lërë pasoja të parikuperueshme në ekonomi, të paktën për një periudhë që vlerësohet si afatgjatë. Përfundimi del në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që pritet të publikohet më 1 tetor në “World Economic Outlook”. Studimi tregon se krizat bankare në mënyrë absolute kanë një ndikim të gjatë e të vështirë në nivelin e prodhimit, edhe pse rritja përfundimisht rimëkëmbet. Ulja e punësimit, investimeve dhe e produktivitetit, të gjitha së bashku kontribuojnë në humbjen e qëndrueshme të prodhimit. Edhe pse ka një lidhje të fuqishme mes kushteve fillestare të rritjes ekonomike dhe shkallëve të humbjes së prodhimit, stimujt afatshkurtër makroekonomikë dhe reformat strukturore mund të ndihmojnë në uljen e humbjeve shkatërruese. Efektet e krizës tashmë kanë mbërthyer edhe ekonominë shqiptare, fakt i pranuar tashmë edhe nga qeveria, që duket e pafuqishme për të ndihmuar biznesin që tkurret dita-ditës. Por edhe pse ekonomia globale filloi të marrë veten nga kriza më e rëndë financiare që prej Depresionit të Madh dhe recesionit më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore, sistemet financiare mbeten të paaftë dhe fluktacionet e brendshme dhe të jashtme vazhdojnë që të gërryejnë ekonomitë.

Korporata Islamike, financuesja e kredive për sektorin e eksportit

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje marrëveshjen e themelimit të Korporatës Islamike për sigurimin e investimeve dhe të kredive të eksportit.
Sipas kryetarit të këtij komisioni, Edmond Spaho, aderimi në këtë organizëm është bërë në mbështetje të ligjit "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare" dhe objektivi kryesor i themelimit të Korporatës Islamike është sigurimi i investimeve, kredive të eksportit dhe zgjerimi i transaksioneve tregtare, çka do të mundësojë nxitjen e investimeve në vend. Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare, Shqipëria do të realizojë tashmë eksporte me vendet e Konferencës Islamike dhe do të marrë edhe kredi e financime prej tyre. Anëtarët e maxhorancës në këtë komision vlerësuan marrëveshjen, e cila, sipas tyre, do të ndikojë pozitivisht sigurimin e investimeve të huaja në vend. Shqipëria është anëtare e Bankës Islamike Për Zhvillim që nga viti 1993.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›