Bashkia e Tiranës, Lejet e ndërtimit në një sportel të vetëm
Suksesi i modelit ekonomik në Shqipëri është para së gjithash e mbi të gjitha rezultat i luftës kundër korrupsionit. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së radhës të qeverisë, ku ndërmjet të tjerave ka bërë të ditur edhe planin e Bashkisë së Tiranës për të dhënë lejet e ndërtimit sipas projektit “One stop shop”, pra të realizimit të të gjitha veprimeve vetëm në një sportel. “Jam shumë i inkurajuar nga fakti që bashkia e Tiranës po shqyrton mundësinë e One stop shop për lejet e ndërtimit, që ishin shndërruar në një mjet të tmerrshëm në këtë bashki dhe e kishin renditur atë në vendin e 173-të në botë”, - tha Berisha në fjalën e vet. Kryeministri Berisha tha gjithashtu dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e transparencës në themel të çdo praktike e procedure është kusht vendimtar për suksesin e çdo reforme. Në funksion të garantimit të transparencës maksimale dhe luftës antikorrupsion, Kryeministri kërkoi nga ministrat shqyrtimin e të gjitha procedurave administrative me qëllim kalimin e tyre në procedura dixhitale, shqyrtimin e kalimit të lejeve dhe licencave të mbetura në One stop shop-in për lejet e licencat. “Zotërinj ministra, ju ftoj të shqyrtoni të gjitha kërkesat që janë paraqitur në zyrat tuaja dhe ju garantoj se, aty ku ka vonim në përgjigje, ka pikëpyetje të madhe. Ndaj duhet t’u imponojmë disiplinën më të rreptë drejtorive dhe agjencive. Ne kemi krijuar One stop shop për licencat dhe lejet dhe me këtë kemi bërë një hap të jashtëzakonshëm para. Por ne duhet të bëjmë çdo gjë që ta konsolidojmë më tej këtë institucion që, para së gjithash e mbi të gjitha, ka si qëllim të parë antikorrupsionin. Do të shqyrtoni sërish licencat e tjera që kanë mbetur dhe të fillojmë t’i inkuadrojmë në One stop shop”, - u shpreh Berisha.