E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, qeveria jep 780 milionë lekë

Pavarësisht kundërshtimit që ka gjetur nga disa organizata joqeveritare, qeveria është e vendosur që ta realizojë censusin e popullsisë, siç njihet tashmë procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në vendin tonë. Për këtë qëllim, ekzekutivi ka vendosur dje që të mbështesë edhe financiarisht këtë proces, në mënyrë që në muajin tetor, kur edhe do të zhvillohet, të jetë çdo gjë gati. Kështu, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një shtesë fondi në buxhetin e Institutit të Statistikave një shumë prej afro 780 milionë lekësh të vjetra, të cilat do të përdoren pikërisht për këtë proces. Më konkretisht vendimi i qeverisë përcakton se në artikullin 231 (fond page) të INSTAT, do t’i shtohet fondi me shumën 47 100 000 (dyzet e shtatë milionë e njëqind mijë) lekë të reja për të paguar punën e të gjithë atyre personave që do të rekrutohen në realizimin e këtij projekti në terren. Gjithashtu në artikullin 602 (shpenzime operative) do të shtohet fondi me shumën 31 000 000 (tridhjetë e një milionë) lekë, për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Për shkak se një gjë e tillë nuk ishte parashikuar në Buxhetin e Shtetit të amenduar vetëm para një muaj, shuma e mësipërme do të përballohet nga fondi rezervë. Vendimi i djeshëm i qeverisë përmban dhe disa pika të tjera midis të cilave është edhe ajo për të lejuar shtyrjen e afatit të kryerjes së procedurave të prokurimit, për Institutin e Statistikave, ndërkohë që ngarkohen Ministria e Financave dhe Instituti i Statistikave për zbatimin e këtij vendimi. Megjithatë, ky nuk është fondi i vetëm që do të vihet në funksion të censusit, pasi siç dihet tashmë për realizimin e tij janë akorduar edhe donacione nga Bashkimi Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›