E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës: Nis puna për ndërtimin e rreth rrotullimit të sheshit “Skënderbej”

21-09-2011 / Gazeta 55

Zeneli: Po shqyrtojmë dhe mundësi të tjera për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë problemit të trafikut

Bashkia e Tiranës po intensifikon punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, për të çliruar trafikun e rënduar që krijohet në qendër të kryeqytetit. Punimet do të mbarojnë së shpejti dhe do të krijojnë një aks të qarkullimit të makinave përrreth sheshit “Skënderbej”.
Kjo është zgjidhja emergjente për situatën e krijuar dhe Bashkia është konsultuar me specialistët e fushës për kryerjen e këtyre punimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës z.Taulant Zeneli shpjegoi sot para mediave, ndërhyrjen në sheshin “Skënderbej”.
“Bashkia e Tiranës po punon me ritme të larta për rehabilitimin e sheshit Skënderbej. Rehabilitimi ka të bëjë me ndërtimin e aksit të qarkullimit të makinave, për të shfryrë trafikun e rënduar këtu në qendër të Tiranës, që mbetet një burim i vazhdueshëm i stresit për qytetarët, dhe i ndotjes së ambjentit. Kjo përsa i përket ndërhyrjeve emergjente. Ndërkohë, specialistët e Bashkisë, inxhinierët, po shqyrtojnë mundësi të tjera për ndërhyrje afatgjata, në mënyrë që sheshi “Skënderbej” të ndihmojë në trafikun e Tiranës dhe në krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe të mos kthehet në një pengesë apo problem për qytetarët” - tha sot Zeneli.
I pyetur për të ardhmen, Zeneli tha se Sheshi Skënderbej do të ketë hapësira për këmbësorët dhe gjelbërim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›