E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit, prezantohen krerët e rinj të policisë së Vlorës

VLORË-Në mjediset e Policisë së Vlorës u zhvillua sot ceremonia e prezantimit të drejtuesve të rinj të strukturave të policisë lokale, të bëra zyrtare një ditë më parë nga kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Në një komunikatë zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës, bëhet e ditur se prezantimi i drejtuesve të rinj është bërë nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku.

Në detyrën e Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë u prezantua Drejtues i Parë, Nazmi Kotarja dhe në atë të Zv/Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Drejtues Helidon Veizi. Gjithashtu, në funksionin e shefit të komisariatit të Vlorës, u prezantua kryekomisar Alfred Elezi.
Ndërkohë, në një prononcim për shtyp një ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, bëri zyrtare ndryshimet e drejtuesve të Policisë së Vlorës, duke u shprehur se "lëvizjet në Polici janë normale dhe janë në shërbim të përforcimit të rendit".
Në deklaratën e tij, Burgaj tha se "lëvizjet e funksionarëve më të lartë të policisë së Vlorës, u influencuan edhe nga vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi".
Nga burimet zyrtare të Policisë lokale, mësohet se ish- drejtuesit e policisë së Qarkut të Vlorës, mes të cilëve edhe ish- drejtori Ylli Metko, janë emëruar në funksione të tjera në radhët e Policisë së Shtetit. ´

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›