Bashkia e Tiranës, “One Stop Shop” për regjistrimin e biznesit

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet dhe duke rritur nivelin e konkurrueshmërisë së Tiranës”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nënshkroi sot paradite një memorandum me IFC, Korporata Ndërkombëtare Financiare, pjesë e Bankës Botërore, që është një angazhim i përbashkët në lehtësimin e procedurave për biznesin. Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet dhe duke rritur nivelin e konkurrueshmërisë së Tiranës.
Ky projekt parashikon krijimin e një qendre të vetme për kryerjen e shërbimeve ligjore të biznesit, në nivel lokal.
“One-Stop-Shop-Center”, do të sigurojë shërbime dhe këshilla për klientët, me cilësi dhe në kohë reale, për të garantuar një biznes më të suksesshëm kundrejt një kostoje më të ulët. Me ngritjen e kësaj qendre, do të bëhet e mundur edhe kryerja e procedurave on-line, çka do të jetë një tjetër lehtësi për biznesin.
“Tirana do të bëhet territori më miqësor për biznesin në gjithë rajonin”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Basha në deklaratën për mediat. “Besoj se ky projekt do të jetë i duhuri për Tiranën dhe besoj se Tirana do të jetë qyteti më konkurues në Shqipëri por edhe në Europë”, tha Per Kjellerhaug, Menaxheri i IFC-së për Ballkanin Perëndimor. Projekti financohet nga Bashkëpunimi Zviceran në Shqipëri.
Basha: Tirana, territori më i mirë për biznesin
“Sot në Bashkinë e Tiranës, kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme me Korporatën Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e sistemit të Bankës Botërore. Siç kemi bërë të ditur vazhdimisht, prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës, prioriteti im i parë është rritja dhe zhvillimi ekonomik i qytetit tonë, në funksion të punësimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Në këtë kuadër, marrëveshja e sotme ka si objektiv, një nga proçeset kryesore, për të bërë të mundur pikërisht rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qytetit dhe kjo vjen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me lehtësinë e të bërit biznes në qytetin e Tiranës. Kemi thënë dhe vazhdojmë të themi se Tirana është e hapur për biznes, por që kjo të mos ngelet thjesht një frazë, duhet ta tregojmë me vepra dhe jo me fjalë, gadishmërinë e qeverisjes lokale këtu në Tiranë, për ta bërë qytetin më miqësor për biznesin.
E nisëm këtë duke vënë në jetë një nga premtimet kryesore, heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e taksave në qytetin tonë, me Vendimin e Këshillit Bashkiak, të mërkurën e kaluar, i cili ka hyrë në fuqi duke filluar nga kjo javë. Sot, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ne hedhim hapin tjetër, atë të përgatitjes së një plani radikal të thjeshtimit të procedurave administrative të qytetit të Tiranës, të Bashkisë së Tiranës, në raport me biznesin në veçanti dhe qytetarët në tërësi. Objektivi i kësaj marrëveshjeje është për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës, që brenda janarit të vitit të ardhshëm, të prezantojë procedura të thjeshtuara administrative, procedura administrative on-line si dhe praktikën e shërbimit në një ndalesë (one-stop-shop) për biznesin, me qëllim që të reduktojë kohën që i duhet biznesit, dokumentet që i duhen biznesit dhe koston që paguan biznesi, për të marrë leje apo licenca në Bashkinë e Tiranës.
Qëllimi ynë nuk është thjesht të ndjekim modelin e suksesshëm të implementuar në nivel qendror apo në disa nga bashkitë e tjera të vendit dhe komunat e tjera të vendit, por qëllimi ynë është të bëhemi shembull për t’u ndjekur nga çdo bashki dhe komunë në Shqipëri dhe në Europën Juglindore dhe për t’u treguar me gisht, si territori më miqësor ndaj biznesit dhe sipërmarrjes, qoftë kjo biznes i vogël, i mesëm apo korporata të mëdha. Këto janë objektivat, ky është vullneti i Bashkisë së Tiranës, i bërë i qartë edhe ndaj ekspertëve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare, me të cilët kemi gjetur mirëkuptimin e plotë, tek puna dhe përvoja e të cilëve do të mbështetemi për të arritur këtë qëllim, bërjen e Tiranës territorin më miqësor për biznesin, nëpërmjet thjeshtimit të të gjithë procedurave burokratike dhe zbatimit të parimeve të shërbimit në një ndalesë dhe pikërisht kështu dhe vetëm kështu, do të arrijmë të ecim përpara, në objektivin tonë, për të rritur dhe fuqizuar ekonominë e qytetit tonë dhe për të hapur më shumë vende pune, si prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës”.
Përfaqësuesi i IFC: Projekti kursen 6 milionë dollarë, Tirana do të jetë qyteti më konkurues në Europë
“Për mua është kënaqësi e madhe që gjendem në Shqipëri, në emër të IFC-së. Ardhja ime lidhet me një projekt që kemi edhe me tre bashki të tjera siç janë ajo e Durrësit apo e Shkodrës dhe Vlorës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje tregon angazhimin e IFC-së, për të forcuar përmirësuar mjedisin e zhvillimit të biznesit. Për ne, ky është një faktor kyç, sepse bizneset ndikohen shumë nga klima vendore e zhvillimit të biznesit dhe nënkupton gjithashtu se sa më thjeshta dhe cilësore janë rregulloret e zhvillimit të biznesit, aq më shumë do të ndikojnë në zhvillimin e biznesit vendor, në zhvillimin e biznesit ndërkombëtar privat.
Ky zhvillim i biznesit, ky bashkëpunim që ne kemi pasur me këto tre bashki të tjera ka ndikuar në krijimin e kursimeve. Ne kemi kursyer një shumë prej 6 milionë dollarë deri tani dhe është e rëndësishme sa i përket kontekstit europian dhe në kuadër të eksportit drejt tij. IFC mbetet shumë e angazhuar për zhvillimin e Shqipërisë, me të cilën kemi një program mjaft të madh zhvillimi, që do të përqendrohet në investime dhe ky program do të zhvillohet edhe në të ardhmen.
Me këtë projekt ne sjellim përvojën zvicerane me të cilën kemi jo vetëm në Shqipëri, por edhe shumë vende të Evropës Juglindore . Jam shumë i kënaqur që gjendem në Shqipëri dhe shpreh kënaqësinë që kam për këtë projekt të përbashkët me Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e Bashkisë, dhe besoj se ky projekt do të jetë i duhuri për Tiranën dhe besoj se Tirana do të jetë qyteti më konkurrues në Shqipëri por edhe në Europë. Ndaj dua të falenderoj edhe njëherë me shumë përzemërsi për mbështetjen e tij të mrekullueshme në këtë projekt”.