E Diel, 1 Nëntor 2026

Emiri i Katarit në Tiranë takon Topin, firmos 8 marrëveshje me qeverinë

TIRANË-  Emiri i Katarit zhvilloi sot në Tiranë, të parën vizitë shtetërore me ftesë të presidentit Bamir Topi. Forcimi i marëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, ishte tema kryesore e takimit të të Presidentit Bamir Topit dhe Emirit të Shtetit të Katarit, Sheikun Hamad Bin Khalifa Al Thani. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Sheiku zhvilloi takime dhe me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli si dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha.

TAKIMI ME TOPIN
Sipas zyrës së Presidencës Topi dhe homologu i tij Sheiku Al Thani, shprehën njëzëri vendosmërinë, vullnetin dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh e fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve.

Duke folur për situatën e re në rajonin e Ballkanit, Kryetari i Shtetit i shprehu mirënjohjen Emirit të Shtetit të Katarit edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të vendeve që mund ta njohin së afërmi Kosovën, pikë në të cilën Shteti i Katarit mund të luajë një rol të rëndësishëm me influencën e vet.

Sheiku Al Thani vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes Shtetit të Katarit dhe Shqipërisë, të cilat do të thellohen edhe më tej me nënshkrimin e sotëm të tetë marrëveshjeve të ndryshme me interes reciprok mes dy vendeve tona, bashkëpunimin e frytshëm në kuadër të organizmave ndërkombëtare si OKB-ja dhe Konferenca e Vendeve Islamike si dhe vuri në pah faktin se Shteti i Katarit është një partner strategjik afatgjatë dhe serioz për sa u përket investimeve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm.

Takimi vijoi me ceremoninë e dekorimit të Emirit të Shtetit të Katarit nga Presidenti Topi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

SHQIPERI- KATARI, FIRMOSEN 8 MARREVESHJE BASHKEPUNIM
Mes qeverisë shqiptare dhe të Katarit u nënshkruan 8 marrëveshje bashkëpunimi. Ata janë shmangia e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat; nxitja dhe mbrojtja Reciproke e Investimeve, Memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit si dhe Marrëveshja për bashkëpunim dypalësh dhe shkëmbim të lajmeve ndërmjet Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencisë së Lajmeve të Katarit (QNA); marëveshja për shërbimet ajrore, mbi bashkëpunimin kulturor, Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet MPJ-së së Shqipërisë dhe MPJ-së së Shtetit të Katarit si dhe marrëveshja mbi themelimin e Këshillit te Biznesit te Përbashkët ndërmjet Dhomes se Tregtisë dhe Industrisë së Katarit dhe Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Në takimin me kryeministrin Berisha Sheiku Al Thani mori garancinë se qeveria shqiptare do të mbështesë të gjitha investimet e investitorëve të shtetit të Katarit apo të qeverisë së Katarit në Shqipëri.
Projektet do të përqëndrohen në fusha si ajo e turizmit bregdetar dhe malor, e infrastrukturës dhe importimit e shfrytëzimit të gazit të lëngshëm natyror, si për prodhim energjie elektrike, ashtu edhe për nevoja familjare. Gjithashtu, projekte do të ketë në fushën e infrastrukturave portuale, të prodhimit të energjisë hidrike, të bujqësisë, arsimit, kulturës, sporteve, etj, si dhe projekte infrastrukturore e turistike për kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti dhe kryebashkiakun Lulzim Basha.

(e.m/s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›