E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama thërret një tjetër gjysmë – tryezë me gjysmë – aleatë

18-10-2011 / Gazeta 55

Milo dhe Dule refuzojnë axhendën anti – integrim të lidershipit të selisë rozë. Gjinushi sposton Zogajn, bëhet “zëdhënës” i drekave të Ramës


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur sot gjysmë – aleatët, për të diskutuar për reformën zgjedhore dhe situatën politike në vend. Në takimin formal që u zhvillua në hotel “Tirana” morën pjesë të përhershmit e drekave të Kryetarit si kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela, kryetari i PSV ‘91 Petro Koçi dhe zëdhënësi i Opozitës, Preç Zogaj. Drekës së sotme s’i shpëtoi kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, pavarësisht se ka shprehur haptazi pakënaqësinë ndaj PS-së, për mënyrën se si po i trajton të vegjlit. Por, një drekë qyl s’është asnjëherë e gabuar. Gjysmë-tryezën e sotme e refuzuan përsëri të perhshmit Paskal Milo nga PDS dhe Vangjel Dule nga PBDNJ. Ky i fundit seancën e raportimit tek Rama e pati një javë më parë.  Takimi i cili u zhvillua me dyer të mbyllura mësohet se ka patur në qendër të diskutimeve, reformën zgjedhore (pasi në takim kanë marrë pjesë dy të mandatuarit e kësaj partie për reformën zgjedhore Vasilika Hysi dhe Damian Gjiknuri) dhe progres – raportin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, si edhe përgjegjësitë mbi mesazhet e këtij raporti. Në përfundim të takimit, rolin e zëdhënësit të opozitës e bëri i pakënaquri Skënder Gjinushi, i cili informoi mbi detajet e takimit të gjysmë – tryezës. Gjinushi tha se opozita do të paraqesë platformën e saj për konceptin e reformës zgjedhore si garancinë politike e administrative, garancinë infrastrukturore, rregullime në Kodin Zgjedhor dhe përmirësime në sistemin zgjedhor. “Shkaku kryesor i vjedhjes së votës është mungesa e vullnetit politike për zgjedhje dhe keqpërdorimi i institucioneve të pavarura. Duhet të krijohet klimë politike që vota të shkojë tek i zoti dhe që Shqipëria të mos jetë e fundit në rajon për arritjen e standardeve zgjedhore”- tha ai. Një tjetër pikë kyçe e takimit sipas kreut të PSD-së, Gjinushi, ka qënë edhe progres – raporti i BE-së, ku Shqipëria për shkak të bojkotit të Kuvendit dhe bllokimit të ligjeve nga opozita, humbi shansin të marrë statusin e vendit kandidat. “Diskutuam edhe për situatën politike në vend të krijuar për dështimi për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo është një humbne për të gjithë, dhe një dështim i shkaktuar nga keqqeverisja dhe mosplotësimi i një prej kriteret kryesore ai i standardeve zgjedhore”- tha më tej, Gjinushi. Sikurse edhe duket, as kjo gjysmë-tryezë me gjysmë-aleatë, nuk solli ndonjë risi në qëndrimin e opozitës në raport me mazhorancë. E veçanta e këtij takimi është rikthimi i Gjinushit në rolin e zëdhënësit të opozitës, duke shmangur kështu të zakonshmin Preç Zogaj.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›