Bashkia e Tiranës: Punimet në infrastrukturë do përfundojnë para afateve
Bashkia e Tiranës vijon investimet në infrastrukturën rrugore me standardet më të mira dhe bashkëkohore për të gjithë qytetarët, në të gjitha projektet që kanë nisur prej muajsh. Risitë që Bashkia e Tiranës ka sjellë në zbatimin e parametrave më të mira në këto projekte janë pajisja e mureve rrethuese me kangjella për t’u dhënë hapësira dhe një tjetër dimension blloqeve urbane, ndarja e ujërave të bardha nga ato të zeza, ndërsa zotohet të përfundojë projektet e nisura para afateve të përcaktuara. Drejtori i menaxhimit të shërbimeve publike pranë Bashkisë së Tiranës, Taulant Zenelaj inspektoi sot punimet në rrugën ‘Ilia Dilo Sheperi’ në njësinë 5, e cila lidh Selitën me Unazën e Madhe, ku deklaroi se vijon puna në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
“Angazhimi dhe përkushtimi i Bashkisë së Tiranës në shërbim të qytetarëve do të jetë i plotë dhe do të sigurojmë që projektet do të përfundojnë brenda afateve kontraktuale, edhe më shpejt. Një gjë që është risi, brenda të gjitha standardeve të projektuara, por edhe bashkëkohore.” – u shpreh Zenelaj.
Banorët e njësisë 5 shprehen të kënaqur me këtë rrugë, pasi sipas tyre ky investim rrit vlerën e banesave të tyre, por edhe zhvillimin e zonës. “Mendoj se është një investim shumë shumë i mirë i Bashkisë. Për familjen time, kjo i dha vlerë jo vetëm shtëpisë time, por edhe gjithë zonës. U bënë shumë vite pa vënë dore. Në momentin që ka ardhur Lul Basha u vu dorë në lagjen tonë. Eshtë bërë në mënyrë të shkëlqyer, me ndriçim me të gjitha”- shprehën banorët.
Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha punët e nisura të përfundojnë para afateve, pa cenuar standardin dhe parametrat bashkëkohore për qytetarët.