E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës: Si ti dalloni taksitë e licencuara me ato pirate

Specialistët: ”Mos udhëtoni me taksitë pirate. Do tju zhvatin”

Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës po merr masa për shmangien e shërbimit pirat të taksistëve që operojnë pa licencë në kryeqytet. Autoritetet vendore kërkojnë që të marrë fund amullia e taksive dhe pakënaqësitë e shoferëve të taksive për shkak të konkurrencës së pandershme. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka nisur sensibilizimin e qytetarëve për të ndalur piraterinë e taksive nëpërmjet informimit të qytetarëve. Ky aksion informues do të realizohet me anë të shpërndarjes së fletëpalosjeve, të cilat shpjegojnë me hollësi shenjat dhe veçoritë e automjeteve të licencuara nga Bashkia. Specialistët kanë përcaktuar të gjitha karakteristikat e taksive të të dy tipave, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin për udhëtim taksitë e licencuara. Nga rregullat e përcaktuara do të përfitojnë shoferët e taksive, si dhe pushteti vendor që vjel taksa nga ky shërbim.
Veçoritë
Në Tiranë operojnë mjete taksi 4+1, nga të cilat janë licencuar 500 të tilla, ndërsa pjesa tjetër mund të konsiderohet veprimtari pirate. Taksi të tipit 8+1 (fugon), janë të licencuara vetëm 50 të tilla, që mund të qarkullojnë brenda kritereve të përcaktuara me ligj. Bashkia paraqet nëpërmjet fletëpalosjeve tiparet karakteristike të taksive. Për automjetet e licencuara 4+1 shenjat dalluese që janë, targat e verdha, logoja e Bashkisë e stampuar, taksimetri, mbishkrimi “taksi” ose “taxi”, çmime të afishuara si në pjesën e jashtme ashtu edhe nga brenda, ngjyra e verdhë dhe licenca e lëshuar nga Bashkia. Për identifikimin e mjeteve 8+1, shenjat janë të njëjta, përveç ngjyrës së mjetit e cila është e bardhë me një shirit blu dhe një të kuq.
Aksioni
Aksioni informues organizohet nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, pranë Bashkisë së Tiranës dhe ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes dhe sensibilizimin e qytetarëve për shfrytëzimin e mjeteve të licencuara nga Bashkia e Tiranës. Sipas specialistëve, taksitë e licencuara garantojnë transport të sigurt dhe cilësor të udhëtarëve dhe bagazheve. Të gjitha këto subjekte plotësojnë kriteret e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, si transport të sigurt, kompetencë profesionale në drejtim, gjendje të mirë teknike të automjetit dhe identifikim të tyre. Po kështu, taksitë e licencuara garantojnë çmime transparente dhe të miratuara ligjërisht, kontribut financiar ndaj shtetit, nëpërmjet shlyerjes së detyrimeve, si dhe mundësi për ankesa në lidhje me shërbimin e ofruar. Të gjitha këto kritere janë të pazbatueshme nga taksitë pirate që operojnë në qytet, ndaj Bashkia e Tiranës nëpërmjet fletëpalosjes i informon qytetarët, të mos e frekuentojnë këtë lloj shërbimi.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›