Drejtoresha e QSUT-së: “Do të pushohen nga puna mjekët që bëjnë fushatë”
Mjekët që do të përfshihen në fushatën politike do të pezullohen nga puna. Drejtoresha e QSUT-së, Gjerorgjina Kuli, ka paralajmëruar për pezullim nga puna për të gjithë shefat e shërbimeve që do të merren me fushatë apo do të presin përfaqësuesit e partive politike në spitale. Sipas Drejtoreshës Kuli, institucionet shëndetësore nuk mund të përdoren nga partitë politike për të arritur qëllimet e tyre politike. Madje, ajo ka kërkuar nga partitë politike që të mos ndjekin këtë strategji dhe të mos bëjnë fushatë në spitale për të goditur apo për të premtuar reformë nëse do të fitojnë zgjedhjet. Sipas saj, shumë subjekte politike kanë hedhur akuza për arritjet e shëndetësisë në 4 vitet e fundit dhe për këtë u drejtohen spitaleve. “Për fushatë nuk do të lejohet asnjë përfaqësues. Në qoftë se do të ketë rast përsëritës, qoftë edhe me PD-në nëse do vijë këtu, nuk do të lejohen. Në qoftë se vjen ministrja dhe bën fushatë për PR-në do jem unë e para që do ta nxjerr përjashta. Në qoftë se vjen të inaugurojë dhe të ndihmojë të sëmurët ajo është funksionare në fuqi”,- tha Kuli. Drejtoresha e QSUT-së, ka hedhur akuza dhe ndaj personelit shëndetësor që mbështet kandidatët në fushatën e tyre. Ajo ka ironizuar faktin se një pjesë e personelit shëndetësor, duket se nuk janë të informuar për reformën e fundit në shëndetësi. Kuli u shpreh se reforma në shëndetësi ka filluar të japë frytet e para pas shumë përpjekjeve që janë bërë nga autoritetet drejtuese të shëndetësisë. “Më vjen shumë keq që janë të dezinformuar, jo popullata me të drejtë, por shefat e shërbimit të Qendrës Spitalore Universitare të cilët me sa duket janë shumë më tepër të impenjuar në aktivitetet e tyre private se sa në aktivitetin hospitalor dhe nuk kanë marrë informacion ashtu siç duhet se ku shkojnë dhe ku derdhen lekët e ISKSH-së”,- deklaroi Kuli. Drejtoresha e QSUT-së, reagoi pas vizitave që kanë bërë përfaqësuesit e forcave politike në QSUT dhe akuzave që janë hedhur gjatë vizitave në pavijone të ndryshme të spitaleve. Një pjesë e personelit mjekësor, ka komunikuar dhe ka treguar problemet dhe situatën që ekziston në spitale.
17 Qershor 2009