Për të mos censuruar Bashën dhe Brukselin
Albert Gjoka
Zoti Lulzim Basha, deputeti pa mandat i kryeqytetit dhe kandidati për deputet në qarkun e Elbasanit, dje la fushatën në zonën e tij dhe iu rikthye edhe njëherë te zyra në Ministrinë e Jashtme. Ai komentoi vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në lidhje me liberalizimin e vizave. Kryediplomati dhe politikani u përpoq që të modifikojë të zezën e shkruar mbi të bardhë: Ai u përpoq në mënyrë elektorale që të flasë jo si ministër i Jashtëm dhe udhëheqës i procesit politik të integrimit të vendit në BE, se deklarata e “Këshillit rikonfirmon qartësisht dhe bindshëm se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë ‘Berisha’; heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve”. Ëndrra e shqiptarëve për të lëvizur lirshëm në BE nuk përkon me realitetin e reformave të deritanishme të kësaj qeverie. Ky fakt nuk ka nevojë që të modulohet as me frazat diplomatike të zotit Basha, pasi këtë shqiptarët do ta shohin te fqinjët e tyre maqedonas, të cilët më 1 janar të vitit 2010 nuk do të kenë nevojë që të rrinë nëpër radhët torturuese të ambasadave. Zoti Basha doli dje në sallonin e konferencave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, tamam sikur po vijonte takimet elektorale. Nëse do të ishte në ndonjë debat televiziv me kundërshtarët e tij politikë të opozitës, këto radhë nuk do të kishin asnjë vlerë. Pasi zoti Basha, apo çdo politikan tjetër, sidomos në këtë periudhë, mund të premtojë dhe deklarojnë gjithçka para mediave dhe shqiptarëve. Premtimet pa doganë janë bërë të modës, ashtu si liberalizimi i vizave, i cili, sipas kësaj qeverie, do të duhej të ishte realizuar në vitin 2006, ose së paku në vitin 2007. Tani jemi në mesin e vitit 2009 dhe nuk ka askush arsye që ta besojë se vizat do të hiqen brenda 12 muajsh.
Për të mos bërë asnjë lloj përpjekje të mundimshme, si ato të zotit Basha, po japim të plotë deklaratën e tij që dha dje paradite për mediat (në mënyrë që të mos ta censurojmë) dhe deklaratën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së (sërish, që të mos ta censurojmë). Po ashtu, po japim në mënyrë integrale vlerësimet e Komisionit Europian për standardet që kërkon liberalizimi i vizave. Çdo lloj interpretimi apo përpjekje për të mohuar rezultatet e qeverisë do të ishin të kota; ashtu si çdo lloj tendence për të mos përcjellë siç duhet deklaratat e zyrtarëve të Brukselit, sërish do të ishte e kotë. Lexuesit, por edhe shqiptarët, e kuptojnë fare mirë pasi të kenë harxhuar pak minuta kohë nëse qeveria e zotit Basha i ka realizuar standardet, pra nëse ka punuar që qytetarët e saj ta meritojnë të udhëtojnë pa viza deri në vitin 2010.
17 Qershor 2009