E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: “Deklarata e Këshillit rikonfirmon objektivin madhor të qeverisë”



Dje Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian hodhi një hap madhor drejt përmbylljes së procesit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjes së dëshirës të qytetarëve tanë për të lëvizur të lirë dhe pa viza në Europë.
Këshilli përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Komisionin Europian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet.
Për këtë arsye, Këshilli përshëndeti përparimin e arritur deri tani dhe u bëri thirrje vendeve në rajon që të përshpejtojnë dhe zbatojnë reformat për realizimin së shpejti të standardeve të nevojshme.
Deklarata e djeshme e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian rikonfirmon qartësisht dhe bindshëm se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë “Berisha”: heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve.
Për shqiptarët anembanë vendit dhe të afërmit tanë në emigracion, që mezi presin rënien e “murit” të fundit ndarës me Europën, ky është një lajm i shumëpritur dhe një ëndërr që po bëhet realitet.
Njëkohësisht, ky është një vlerësim i reformave të jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe një inkurajim i madh për t’i përshpejtuar dhe zbatuar ato plotësisht.

Burimi: mfa.gov.al

Këshilli: Komisioni të miratojë regjimin e lirë të vizave me vendet që arritën standardet

BRUKSEL - Këshilli ripërsërit mbështetjen e tij për dialogun për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë, bazuar në udhërrëfyesin, duke iu përmbajtur kushteve të qarta dhe realiste dhe vlerësimit vend pas vendi. Këshilli sjell në mendje që vendet duhet të vazhdojnë të përqendrohen në zbatimin e plotë të këtyre kushteve. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret raportet e vlerësimit, të paraqitura nga Komisioni Europian për progresin në dialogun e liberalizimit të vizave me këto vende. Raportet reflektojnë progresin e qartë që është bërë nga këto vende, në përmbushjen e standardeve që nxjerr në pah udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave. Në këtë kontekst, Këshilli inkurajon Komisionin Europian që të paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur një propozim ligjor në shtesë të Rregullores 539/2001/ si dhe të aplikojë te shtetet anëtare për të arritur një regjim të lirë vizash, idealisht deri në fund të vitit 2009, me ato vende që kanë realizuar të gjitha kushtet.
Duke pranuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Këshilli nënvizon rëndësinë se të gjitha qeveritë do të arrijnë një regjim të lirë vizash për vendet e tyre sipas meritave. Prandaj, Këshilli mirëpret progresin e arritur deri tani dhe kërkon nga vendet e rajonit që të nxisin përshpejtimin dhe zbatimin e reformave, sa më shpejt të jetë e mundur, në zbatim të plotë të kushteve të vendosura.

Burimi: http://xxx.consilium.europa.eu

VLERËSIMI I KOMISIONIT EUROPIAN

BLLOKU I – Siguria e dokumenteve të identitetit

Duket se Shqipëria nuk i realizon plotësisht të gjitha kushtet e përcaktuara në Kapitullin I të Udhërrëfyesit. Garancia e pasaportave biometrike për procedurat e sigurisë së të dhënave nuk mund të vlerësohet gjatë periudhës që mbulon ky raport i përmirësuar i vlerësimit.

BLLOKU II – Menaxhimi i kufijve dhe migrimi

Shqipëria nuk i ka realizuar plotësisht të gjitha kushtet e përcaktuara në Bllokun II të Udhërrëfyesit. Mbetet që të bëhen më tepër përparime, veçanërisht në sektorët e kufirit dhe menaxhimit të migrimit.

BLLOKU III – Rendi publik dhe siguria

KE: Shqipëria ka bërë disa përparime në disa fusha të rendit publik dhe sigurisë, por duket se nuk ka realizuar plotësisht kushtet e përcaktuara në këtë bllok.

BLLOKU IV – Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore

KE: Shqipëria është në rrugë të drejtë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë bllok. Duhet të bëhen përpjekje më shumë, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e minoritetit dhe luftën kundër diskriminimit.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›