Kur ish-i përndjekuri nuk jeton ose ka vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblimin
Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të
tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente:
• Certifikatë vdekje të ish-të dënuarit
• Certifikatë të trungut familjar
• Dëshmi e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik
• Prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet
• Numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura.
b. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës më të gjithë trashëgimtarët ligjore sipas Nenit 8, pika 1, të Ligjit nr. 10111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.
Po bëhen të gjitha përpjekjet për të proceduar sa më shpejt me pagesat. Për këtë së shpejti do të ketë një sektor i posaçëm që do të ndjekë këtë procedurë këtë vit dhe në vazhdim. Në vazhdimësi informacioni do të jetë afishuar pranë degëve të thesarit, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave si dhe pranë shoqatave të ish-të dënuarve politikë.
Skema për ish-të dënuarit që kanë marrë para ose letra me vlerë
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim, do të bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar si më poshtë vijon: Në rastin e përfitimit pasuror, në të holla dhe letra me vlerë. Çdo kërkues, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në të holla ose letra me vlerë, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i vetëdeklarimit i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, i dërgon Ministrisë së Financave një kopje të formularit të plotësuar dhe i kërkon të verifikojë përfitimet, në të holla dhe letra me vlerë, të ish-të dënuarit politik nga ligjet e mëparshme. Ministria e Financave, pasi verifikon përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat e ish-Bankës së Kursimeve (aktualisht Raiffeisen Bank), i dërgon Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen zyrtare për masën e zdritshme të dëmshpërblimit, brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Përgjigjja formulohet sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitim i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik, ose pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitimi i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik. Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse të ne nuk ka të dhëna”.
Kategoritë e reja që i janë shtuar skemës së dëmshpërblimit
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga zbatimi i këtij ligji mendohet se do të përfitojnë rreth 1500 ish-të dënuar apo të përndjekur politikë. Ligji parashikon ndryshime në Nenin 19 të ligjit ekzistues, duke ndryshuar në këtë mënyrë afatin e aplikimit. Ish-të përndjekurit politikë do të kenë të drejtë të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin financiar deri në datën 1.7. 2009. Ligji parashikon gjithashtu zgjerimin e kategorive që përfitojnë dëmshpërblim. Në ligjin ekzistues, pikërisht në Nenin 8, ishte parashikuar që përfitues të dëmshpërblimit të ishin rrethi familjar ku përfshiheshin paraardhësit, bashkëshortja dhe fëmijët. Ndërsa në ndryshimet e propozuara mund të përfitojnë edhe vëllezërit, motrat dhe nipërit e ish-të përndjekurit, në ato raste kur ky nuk ka pasur bashkëshorte dhe fëmijë. “Në kuptim të këtij ligji, me familjarë nënkuptohen, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit. Në kuptimin e këtij ligji, për personat që nuk kanë familjarë sipas përcaktimeve të pikës së parë të këtij neni, familjarë do të konsiderohen dhe vëllezërit e motrat e tyre, si dhe fëmijët e këtyre vëllezërve dhe motrave. Familjarët në shkallë të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë”, - shkruhet në ligjin e miratuar dje nga Kuvendi. Ashtu sikurse parashikohet në ligjin ekzistues, kriteret për të aplikuar për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit mbeten të njëjta. Në Nenin 4 të ligjit ekzistues parashikohet se i dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: “të jenë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jenë izoluar në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991”.
17 Qershor 2009