E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkia e Tiranës, abuzime me shërbimin e transportit urban”

Denoncon Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve

TIRANE – Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit (ZMK), ka denoncuar dje abuzimet e bashkisë së Tiranës me shërbimin urban të qytetit. ZMK, ka sqaruar se ky abuzim fillon me mungesën e transparencës dhe përfundon me interesimin dhe përpjekjen e palëve të interesuara për të ruajtur apo keqësuar situatën financiare apo të përfitimit të shërbimit nga ana e konsumatorëve.
Sipas të dhënave të mbledhura nga ZMK-ja, rezulton se informacioni publik i bashkisë Tiranë për shërbimin urban është krejtësisht jashtë standardit të transparencës, sepse mungon plotësisht e dhëna bazë, që është numri i udhëtarëve, d.m.th. mungon numri i konsumatorëve, çka është bazë e vetme që përcakton edhe eficensën ose jo të këtij shërbimi.
Sipas ZMK-së, mësohet se, bashkia ka publikuar të dhëna për numrin dhe emrat e linjave, kompanitë që i mbulojnë, numrin e mjeteve në dispozicion, oraret e shërbimit, kohën teorike të pritjes në stacione dhe në mënyrë topografike jepet edhe numri i stacioneve nëpërmjet hartës së linjave të transportit.
“Të gjitha këto të dhëna janë në rastin më të mirë të paplota dhe në rastin më të keq janë të rreme. Siç është rasti i orareve të shërbimit apo kohës së ndalesave, të cilat nuk i përgjigjen fare realitetit. Në këtë pikë kemi të bëjmë me një konfuzion të qëllimshëm, me të cilin është abuzuar nga të gjitha palët e interesuara për të ruajtur apo keqësuar situatën financiare apo të përfitimit të shërbimit nga ana e konsumatorëve”, sqaron kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Altin Goxhaj.
Sipas të dhënave të studimit të Zyrës së Konsumatorit, rezulton se në Tiranë çdo ditë udhëtojnë minimumi mbi 225 000 pasagjerë, me status paguesi të biletës apo të pajisur me abone.
Përballë një situate të tillë, ZMK_ja sqaron më tej se, çdo institucion, duke përfshirë këtu edhe bashkinë e kryeqytetit, kanë për detyrim të sqarojnë qytetarët e thjeshtë, opinionin publik nëpërmjet mediave, por edhe organizatat jofitimprurëse, të cilave iu nevojitet informacioni. Detyrimi për t’u përgjigjur, si edhe për të qenë transparent me publikun parashikohet në ligjin për të drejtën e informimit publik. Ndërkohë që kontratat duhet të jenë të afishuara në web-in zyrtar të bashkisë së Tiranës.
“Kontratat e nënshkruara mes shtetit dhe privatit duhet të jenë të publikuara, në mënyrë që konsumatori të jetë në dijeni të kushteve që duhet të ofrojë sot transporti urban. Ndërkohë që të gjitha kriteret që duhet të përmbushen nga linjat, shërbimi që i ofrohet qytetarit duhet të afishohet për udhëtarët, qoftë edhe nëpërmjet internetit”, sqaron më tej Goxhaj.
Sipas tij, në bazë të ligjit për informimin publik, secili nga kryeqytetasit mund të marrë informacion të sakte dhe të bollshëm lidhur me detyrimet që ka shteti për t’u ofruar taksapaguesve shërbimin e transportit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›