Edi Rama nuk dha përgjigje për përgjegjësitë e humbjes dhe si do ta risjellë PS-në në pushtet”

Reagon Andis Harasani, një ditë pas Kongresit të Jashtëzakonshëm
TIRANE - Deputeti Andis Harasani vazhdoi dje serinë e akuzave ndaj Edi Ramës. Sipas Harasanit, Edi Rama nuk iu përgjigj tre pyetjeve kyçe në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, që u mblodh dy ditë më parë.
Pse humbi PS me 28 qershor, e duke mos ofruar asnjë alternativë për opozitën, që sërish do të përfaqësohet nga PS u shpreh Harasani. Cila është përgjegjësia e tij dhe si do të vijë Partia Socialiste në pushet janë tre pyetjet, që sipas Harasanit nuk morën përgjigje.
“Dëgjova me vëmendje fjalimin e kryetarit në detyrë, Edi Rama. Më bëri përshtypje fakti që tre pyetjet të cilat të gjithë delegatët dhe të gjithë shqiptarët, përtej së majtës dhe të djathtës, prisnin përgjigje; Fakti pse humbëm në zgjedhje? Çfarë përgjegjësie mban kryetari në detyrë Edi Rama për humbjen e zgjedhjeve? Si PS-ja ose e majta do të vijë në pushtet? Nuk morëm përgjigje nga fjalimi i Edi Ramës. Gjithashtu më erdhi shumë keq të dëgjoja që u falënderuan në kongres njerëz të nderuar, por që janë jashtë partisë sonë, siç është rasti i Pëllumb Xhufit, rasti i Mustafa Muçi dhe nuk u falënderua Ben Blushi, Arben Malaj, Shpëtim Idrizi për kontributet që kanë dhënë në rrethet e tyre. Mendoj që ishte përgjegjësi e Edi Ramës dhe gjithë PS-së që me Mustafa Muçin, me Pëllumb Xhufin, me gjithë të majtën e vërtetë të ishte ulur para zgjedhjeve dhe jo të falënderohen pas zgjedhjeve thjesht për interesa të çastit”, tha Harasani.
I pyetur për tërheqjen nga gara për kreun e partisë të Arben Malajt, Harasani tha se “dorëheqja, kandidimi dhe rikandidimi janë thjesht çështje personale që varen në ndërgjegje”.
Mes ironisë, Andis Harasani nuk la pa komentuar edhe kandidimin e Maqo Lakrori për kreun e partisë.
“Më erdhi mirë që zotin Lakrori e pashë dje në kongres pasi kisha kohë që nuk e kisha parë”, tha Harasani.