Bashkia e Tiranës i jep një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin “Ibrahim Rugova”

Prej ditës së djeshme, një prej akseve rrugore, ndër më të rëndësishmit në Tiranë, do mbajë emrin e arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova. Falë nismës së Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ceremonia e emërtimit të kësaj rruge përkoi dhe me përvjetorin e katërt të Pavarësisë së Kosovës dhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, duke vlerësuar rolin e Ibrahim Rugovës tha se emri i Presidentit Rugova i bën nder çdo qyteti shqiptar. Pavarësinë e Kosovës, Basha e ka konsideruar si ditë krenarie për kombin ndërsa nënvizoi se 100 vjetori i krijimit të shtetit shqiptar nuk do të kishte domethënien e madhështinë që mbart sot pa Kosovën e pavarur.
“Sot është një ditë e veçantë për çdo shqiptar, një ditë krenarie për kombin tonë, dita e Pavarësisë së Kosovës. Është një ditë e veçantë për çdo shqiptar, për të përkujtuar me respekt dhe mirënjohje, sakrificat e bijve dhe bijave të Kosovës, pa të cilat ajo nuk do të ishte e pavarur dhe sigurisht 100 vjetori i krijimit të shtetit shqiptar nuk do të kishte domethënien e madhështinë që mbart sot. Fjalët janë gjithmonë të pakta, për të vlerësuar rolin dhe kontributin e Presidentit Rugova. Çfarëdo që të bëjmë në përkujtim të tij, nuk do të ishte e mjaftueshme, por detyra është që vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë, të kontribuojmë që personalitetet e kombit tonë, të jenë pjesë e pandarë e së tashmes e së ardhmes sonë. Për këtë arsye, qytetarët e Tiranës dhe unë personalisht jemi të nderuar që nga sot, një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit tonë do të mbajë emrin e nderuar të Presidentit Rugova, emër që i bën nder çdo qyteti shqiptar”, u shpreh Basha.
Për kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha Ibrahim Rugova është pa dyshim simboli i përpjekjeve të Kosovës për pavarësi. Sipas Bashës, presidenti Rugova u bë nismëtar i një lëvizje madhore për liri, ku të paktë ishin ata që guxonin të artikulonin këtë ide, nën dhunën dhe terrorin serb, ndërsa pak kush e mendonte, por pa e besuar.
“Ibrahim Rugova vepronte duke besuar se kjo ditë, dita e Pavarësisë së Kosovës, dita kur shqiptarët do të ndanin së bashku gëzimin nuk do të ishte e largët. Atë që Presidenti Ibrahim Rugova artikulonte vazhdimisht, se Pavarësia e Kosovës do të qetësonte rajonin dhe do të kontribuonte në demokratizimin e gjithë gadishullit, sot po e shohim të jetësohet çdo ditë. Fjalët janë gjithmonë të pakta, për të vlerësuar rolin dhe kontributin e Presidentit Rugova. Çfarëdo që të bëjmë në përkujtim të tij, nuk do të ishte e mjaftueshme, por detyra është që vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë, të kontribuojmë që personalitetet e kombit tonë, të jenë pjesë e pandarë e së tashmes e së ardhmes sonë. Për këtë arsye, qytetarët e Tiranës dhe unë personalisht jemi të nderuar që nga sot, një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit tonë do të mbajë emrin e nderuar të Presidentit Rugova, emër që i bën nder çdo qyteti shqiptar”, tha Basha.
Kryetari i LDK, njëherësh kryetar i Komunës së Prishtinës tha se emërtimi i kësaj rruge “Ibrahim Rugova”, është nderim që i bëhet të gjithë atyre që u flijuan për liri e pavarësi të Kosovës.
“Unë ndihem shumë i privilegjuar, që ndodhem sot këtu mes jush, për të përuruar rrugën e cila do të mbajë emrin e Presidenti historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Një rrugë me emrin e Ibrahim Rugovës, këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranën tonë të bukur është më tepër se sa një akt simbolik, edhe për faktin se përurimi i kësaj rruge po bëhet në 4-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, po bëhet në vitin jubilar të 100-të, të themelimit të shtetit shqiptar, ndaj në këtë rast, në emër të Prishtinës, unë ju falënderoj juve, qytetarëve të Tiranës, Bashkinë e Tiranës, të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, për këtë akt të nderimit të personalitetit të Ibrahim Rugovës, por jo vetëm të tij, por të nderit që i bënë popullit të Kosovës dhe të gjithë atyre që flijuan për lirinë e pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ibrahim Rugova hyri në politikë në kohë shumë të vështira për Kosovën, ai u bë shpejt përfaqësuesi kryesor dhe emblema e Kosovës kudo në botë. Ai themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, në dhjetor 1989, në një lëvizje mbarë-popullore dhe mbarëkombëtare, për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ndërsa çështjen e Kosovës e shndërroi në çështje ndërkombëtare”, u shpreh Mustafa.
Për ministrin e Kulturës së Kosovës Memli Krasniqi, ky vit jubilar duhet të shërbejë si moment reflektimi mbi historinë tonë të lavdishme, por mbi të gjitha si një moment për përkushtime të reja, në të tashmen dhe të ardhmen tonë.
“Në rrugën tonë të përbashkët drejt Europës, ne duhet dhe do të ecim krah njëri-tjetrit, sepse ky është edhe vullneti I atyre që me penë e pushkë luftuan për të arritur këtu ku jemi sot, ndaj urojmë që edhe kjo festë e jona e përbashkët dhe ky inaugurim i sotëm i rrugës ‘Ibrahim Rugova’, të jenë vazhdimësi e këtij integrimi dhe fuqizimi të kombit shqiptar”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, djali i presidentit Rugova njëherazi deputet në Parlamentin e Kosovës Ukë Rugova, duke e konsideruar respektin për figurën e Ibrahim Rugovës si të një rëndësie të veçantë për familjen, nënvizoi se pas Prishtinës, Tirana ishte adresa e dytë e veprimit politik të Rugovës.
“Jemi të gjithë dëshmitarë se gjatë viteve’ 90, të shekullit të kaluar, kur shqiptarët e Kosovës të udhëhequr nga Presidenti Rugova, drejt realizimit të kërkesave të tyre për liri e pavarësi, Tirana ishte pas Prishtinës, adresa e dytë e veprimit politik të Presidentit Rugova, Tirana ishte qyteti që e lidhte edhe fizikisht Presidentin Rugova me SHBA dhe bashkësinë europiane, sepse Presidenti Rugova nga Tirana udhëtonte drejt Uashingtonit dhe Brukselit, duke ndërtuar miqësitë e Kosovës, miqësi që Presidenti Rugova I quante të përjetshme, miqësi këto që sollën përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, tha Ukë Rugova.
Pas fjalëve përshëndetëse, kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha, kryetari i Komunës së Prishtinës Mustafa, djali dhe vajza e Presidentit Rugova, Mendim dhe Teuta Rugova zbuluan pllakën me emrin e Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova. Në ceremoninë e organizuar për emërtimin e rrugës “Ibrahim Rugova” morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i Ngarkuari me Punë i Kosovës në Tiranë Gani Veselaj, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, nënkryetar i LDK-së, kryetar i komunës së Istogut Haki Rugova, ministrat e Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, Aldo Bumçi dhe Memli Krasniqi, si dhe pjesëtarë të familjes Rugova, Mendim Rugova, Ukë Rugova dhe Teuta Rugova, Prefekti i Tiranës, kryetari i Këshillit të Qarkut, kryetari i Këshillit Bashkiak, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë e Kosovës, etj.