Berisha, Mustafa: “Kosova, në rrugën e duhur drejt konsolidimit të institucioneve demokratike”
Kryeministri Sali Berisha priti kryetarin e LDK-së dhe kryetar i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Në takim ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të familjes së Presidentit Rugova.
Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë që e priste Mustafa në një ditë të veçantë e të madhe për të gjithë shqiptarët, 17 shkurtin, shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Berisha theksoi se shqiptarët nuk mund të bëjnë mjaftueshëm për ta nderuar Ibrahim Rugovën, sesa ka bërë ai për kombin shqiptar.
“Ai ishte një misionar, me virtyte të larta dhe vizion. Askush, para se ai të hynte në politike, nuk do të besonte, se do të kishte një lider si ai. Ai organizoi një lëvizje paqësore të pashembullt në Europë, që përfshiu të gjithë Kosovën dhe ia doli të imponohet me këtë lëvizje në Europë e në botë”, u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, Mustafa shprehu mirënjohjen për dhënien e emrit “Ibrahim Rugova” një rruge shumë të rëndësishme në qendër të Tiranës, duke e konsideruar këtë event një akt simbolik në 4 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Më tej, në takim u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, krijimin e një hapësirë ekonomike, për shfrytëzimin e potencialeve të tregut të të dy vendeve, si edhe për rëndësinë e vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë midis dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës, në interes të zhvillimit të tyre.
Isa Mustafa i shprehu Kryeministrit mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e fuqishme të tij dhe të Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës dhe për adresimin e problematikave, në rrugën e saj drejt konsolidimit të institucioneve demokratike.
Bashkëbiseduesit vlerësuan faktin se Kosova me qëndrimet e saj është shndërruar në një faktor paqeje stabiliteti në rajon. Ata u shprehën se Serbia duhet t’i përmbahet e të respektojë marrëveshjet e nënshkruara. Sikundër theksuan se ndikimi që Beogradi ushtron ndaj strukturave paralele në veri të Mitrovicës nuk i shërben paqes e stabilitetit në rajon.