E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës inaguron qendrën për fëmijët me Autizëm

TIRANE- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit Bashkia e Tiranës inaguron mjedisin më të ri në ndihmë të këtyre fëmijëve. Ky mjedis i ri ofron zhvillimin e një terapie specifike për të stimuluar shqisat dhe ndijimet e fëmijëve. Në inagurimin e kësaj qendre ka marrë pjesë kreu i Bashkisë së Tiranës. Rama tha se ky mjedis i ri nuk do të ishte realizuar pa sugjerimin e nënave dhe profesionistëve që punojnë për këtë ambient.

“Kjo qendër është një realitet që tregon se sa mirë mund të funksionojnë gjërat në qoftë se institucionet kanë veshë për të dëgjuar zërin e nevojës, që vjen qoftë nga njerëzit e interesuar drejtpërdrejt për një problem qoftë edhe profesionistët.” tha Rama.

Në këtë qendër të specializuar marrin shërbim rreth 50 fëmijë të cilët trajtohen nga një staf i specializuar. Duke shprehur mirënjohje për personelin, gjatë inagurimit Rama u shpreh se ky model nuk është e zakonshëm dhe se vlen për tu kopjuar edhe nga realitete të tjera.

“është kënaqësi të jem në këtë qendër ku qysh sa hyn e ndjen se bëhet fjalë për një model që nuk është i zakonshëm dhe që nuk e gjen lehtësisht kudo. Përkundrazi është një model unik dhe një model për tu zhvilluar e për tu kopjuar në shumë realitete të tjera.” tha Rama.

Një ndërhyrje që Bashkia po zhvillon paralelisht është edhe trajtimi i stafit edukator. Ky trajtim realizohet për evidentimin e hershëm të fëmijëve që shfaqin probleme me autizëm.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›