E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi, Murinjo sërish akuza për Serinë A

ROME- Të shtunën luhet java e 32-të e Serisë A, që tashmë duket më e hapur se kurrë. Kryesuesit e Interit pas disfatës 2-1 me Romën, do të presin në fushën e tyre Bolonjën dhe do të kenë në përbërje një lojtar më shumë, Mario Balotelin. Talenti zikaltër ka kërkuar falje për sjelljen e tij dhe është grumbulluar sërish nga Murinjo, pas 6 ndeshjes që ishte lënë jashtë. Interi nuk do të ketë në dispozicion 4 futbollistë të skualifikuar, Zaneti, Lusio, Maikon dhe Eto, ndërsa Baloteli pritet ta nisë si titullar sfidën. Murinjo ndërkohë është rikthyer të flasë për kampionatin italian, duke lëshuar edhe bombën e radhës. “çështja e titullit kampion nuk është një luftë mes tre skuadrave, por një luftë e një skuadre kundër shumë gjërave të tjera”, ka deklaruar ai për Inter Channel. Ndërsa Seria A ka hyrë në fazën më vendimtare të saj, tekniku portugez ka hedhur sërish dyshime për mënyrën sesi u hap çështja e titullit kampion, me Romën që ndodhet 1 pikë larg dhe me Milanit që është minus 3. Por, Murinjo ka lënë sërish të hapur edhe mundësinë e largimit në fund të sezonit. “Nuk jam i lumtur në futbollin italian, por qëndroj këtu vetëm për krenarinë që stërvis Interin, një klub që më pëlqen”, - ka thënë ai. Në lidhje me mundësinë që Interi të fitojë titullin apo Champions League, portugezi është treguar realist. “Deri në këtë pikë është një sezon fantastik, jemi të parët në kampionat, në çerekfinale të Ligës së Kampioneve dhe në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Por, mungon ende një muaj e gjysmë, mund të fitojmë gjithçka, diçka ose absolutisht asgjë”, deklaroi tekniku zikaltër.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›