Bashkia e Tiranës lë pa sistem ngrohje mbi 60 për qind të shkollave
Nxënësit, 6-7 orë mësim në klasa të akullta Bashkia e Tiranës ka lënë në mes të të ftohtit me qindra nxënës që mësojnë në 30 shkolla të kryeqytetit, të cilat skanë sistem ngrohje. Gjatë vitit të shkuar, bashkia duhet të kishte përfunduar pajisjen me sistem ngrohje për të gjitha shkollat. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi janë 30 shkolla pa asnjë investim në sistemin e ngrohjes dhe 22 me sistem ngrohje, por që pjesa më e madhe e këtyre nuk vihen në punë. Këto ditë që temperaturat kanë rënë nën zero,
shumë shkolla, edhe në mes të kryeqytetit, po përballen me këtë vështirësi, përveç problemeve të zakonshme të arsimit shqiptar si klasat me numër të lart nxënësish etj, u shtohet edhe mungesa e vëmendjes nga ana e Bashkisë së Tiranës për sistemin e ngrohjes. Institucionet arsimore duket se përdoren vetëm për të bërë shou politika. Shpesh shohim inaugurime e festa propagandistike, por në realitet gjendja paraqitet tepër e zymtë. Gjimnazet e kryeqytetit siç është Eqerem Çabej, Qemal Stafa, Sami Frashëri, Andon Z.Çajupi, Partizani, Ismail Qemali etj, nxënësit i kalojnë orët e mësimit në klasa pa ngrohje, me veshje të trasha, me gishtat që dridhen, çka u krijon vështirësi të mëdha për procesin mësimor. Burimet pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë bëjnë me dije se rreth 60% e shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve të kryeqytetit nuk kanë sistem ngrohës. Një vit më parë, Drejtoria e Ndërmarrjes Numër. 3, pranë Bashkisë së Tiranës, ka pohuar se brenda dy vitesh i gjithë arsimi parauniversitar në Tiranë do të ketë një sistem të unifikuar ngrohjeje, atë me kaldajë. Pra nxënësit duhet të presin edhe një sezon pasi një iku dhe nuk u bë asgjë. E kur kjo situatë paraqitet në kryeqytet merret me mend gjendja në shkollat jashtë Tiranës.Sistemi i ngrohjesMijëra nxënës në kryeqytet po vuajnë të ftohtin e këtyre ditëve. Të vegjlit e çerdheve e deri tek adoleshentët e gjimnazeve rrinë të ngërthyer me xhupa e shalle gjatë gjithë orëve të mësimit. Ngrohja mbetet një problem i madh për të gjitha institucionet e dijes në Tiranë. Problemi më i madh është në kopshte e çerdhe, ku e vetmja mënyrë ngrohjeje është ajo me energji elektrike. Ngrohja me gaz nuk lejohet më. Ky është urdhri i Drejtorisë së Shëndetit Publik. Sipas inspektores së institucioneve arsimore në DSHP, Besa Shehu, gazi nuk lejohet më në kopshte dhe çerdhe, për vetë rrezikshmërinë që paraqet ky lëng djegës. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër vendosjen e ngrohjes qendrore në rreth 20 kopshte dhe çerdhe. Por, deri kur kjo të ndodhë, fëmijët e vegjël do të qëndrojnë për orë të tëra në të ftohtë. Një ndër shembujt është edhe çerdhja e re nr. 8, e cila është përuruar nga kreu i bashkisë, Edi Rama. Në këtë çerdhe edhe pse rikonstruksioni është kryer, kaldaja nuk është vënë në punë. Por, si kjo janë dhe shumë çerdhe e kopshte të tjera. Pra fëmijët duhet të presin derisa sa bashkia të shkoj edhe njëherë vitin tjetër që të vër në punë kaldajat. Arsyeja e mos funksionimit të kaldajave është se nuk ka punonjës mirëmbajtjeje për të, ska naftë, kaldaja pëson defekte teknike. Këto janë arsye të mjaftueshme që ngrohja të mos funksionojë rregullisht në këto kopshte dhe në disa shkolla të Tiranës. Megjithatë, duket se kjo gjendje është pranuar në heshtje. Investimet, 30 shkolla pa kaldaja Vetëm në Tiranë janë vetëm 22 shkolla që kanë ngrohje qendrore me naftë, por janë plot 30 të tjera që nuk kanë kaldajë dhe për të cilat bashkia nuk përgjigjet. Ata kanë të njëjtin fat si të tjerët, që mësojnë në shkolla ende të papajisura me ngrohës qendror. Por të paktën të funksiononte ngrohja për vetëm këto të 22-ta. Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore e cila bënë me dije se problemin ende të pazgjidhur për sa kohë që nuk ka një ngrohje qendrore dhe një person që të merret enkas me këtë punë. Dhe çështë më e rëndësishmja, të ketë një fond të mjaftueshëm për lëndën djegëse. Kështu, edhe ky dimër, ashtu si edhe shumë të tjerë, po kalon me problemin e madh të ngrohjes në institucionet arsimore të vendit i cili ka lënë pasoja në shëndetin e fëmijëve që gjatë gjithë dimrit i zënë ethet dhe temperatura. Për ngrohjen, përgjegjëse kryesore mbetet bashkia e kryeqytetit, që ka për kompetencë infrastrukturën shkollore. Edhe këtë vit, sikundër gjithë vitet e tjera, bashkia është marrë intensivisht me rikonstruksionin e shkollave, ndërsa ka neglizhuar elementë të tjerë të rëndësishëm të tyre, siç është ngrohja. Liri Mëhalla
Last Updated on E Merkure, 03 Shkurt 2010 21:59