Bashkia e Tiranës, marrëveshje për menaxhimin e trafikut, me njërën nga kompanitë më të njohura të Evropës

Kryebashkiaku Basha: “Do të sigurohet menaxhimi i trafikut dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”
Projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Operacionale të Kontrollit në Tiranë, e cila sipas kryebashkiakut Basha do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë shumë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. Po kështu, parashikohet pajisja me tru të ri elektronik e 51 nyjeve të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale
Në muajin qershor nis zbatimi i projektit “Qendra e Kontrollit të Trafikut Urban”, në Bashkinë e Tiranës. Zbatimi i këtij projekti i cili zgjat 18 muaj, do të mundësojë vendosjen e standardeve më të larta në Tiranë, për menaxhimin e trafikut por edhe për sigurinë.
Marrëveshja është nënshkruar dje, mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtuesve të kompanisë “Swarco Mizar” & “SCAE”, Alexander Swarovski dhe Alfredo Bolelli. Ky sistem i ri, sistemi i ri i kontrollit të trafikut urban në Tiranë do të realizojë menaxhimin e semaforëve në kohë reale, përmirësimin e fluksit të trafikut në qytet. “Ky sistem, në përfundim të tij do të jetë i barabartë në vlerat teknike, me sistemet që edhe qytete të tjera të Evropës, si Roma apo Viena kanë vënë në operim vetëm në 3-4 vitet e fundit. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia e përparësisë transportit publik do të jenë disa nga përfitimet e menjëhershme që qytetarët e Tiranës do të kenë nga ky projekt”, theksoi Basha.
Projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Operacionale të Kontrollit në Tiranë, e cila sipas Bashës do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, çka do i shërbejë shumë edhe përmirësimit të sigurisë rrugore brenda qytetit të Tiranës. Po kështu, parashikohet pajisja me tru të ri elektronik e 51 nyjeve të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale. Nëntë nyje të reja do të ndërtohen nga fillimi, sikundër do të vendosen edhe semaforët e rinj. Gjashtë pajisje elektronike të përditësuara (tabela të mëdha) do të njoftojnë drejtuesit e automjeteve, mbi kushtet aktuale të trafikut si dhe informacione të tjera të rëndësishme, në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje të qytetit të Tiranës dhe në dalje të qytetit të Tiranës.
Projekti parashikon vendosjen e 23 kamerave, të cilat do të përcjellin informacion në kohë reale, në Qendrën Operacionale. “Projekti do të nisë zbatimin muajin që vjen dhe ka afat prej një viti e gjysmë për përfundimin e tij. Natyrisht në bisedimet me kontraktorët, që janë ndër kompanitë më të njohura në botë për menaxhimin e trafikut, ne kemi kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë në zbatimin e këtij projekti”, tha Basha.
Kryetari i bashkisë së Tiranës iu përgjigj dje edhe interesimit të gazetarëve
Ju thatë që projekti që do të zgjasë një vit, një vit e gjysmë përmirëson trafikun në Tiranë por i shërben edhe sigurisë rrugore dhe policisë rrugore. Ndoshta ky projekt i paraprin afrimit të strukturave të Policisë Rrugore pranë Bashkisë?
Strukturat e Policisë Rrugore bashkëpunojnë me strukturat e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të përditshme siç e dini ju. Para pak kohësh Policia e Shtetit ka ndërmarrë një projekt pilot i cili nis me Tiranën, me sistemin e vëzhgimit pamor të një pjese të kryeqytetit, ku përfshihen edhe rrugët. Projekti ynë në një farë mënyre e zgjeron efiçencën e projektit që ka nisur tashmë. Në ç’kuptim? Me 23 kamerat tona, ne përcjellim sinjalin tek Dhoma jonë e Kontrollit por do ta përcjellim edhe tek Dhoma e Kontrollit të Policisë Rrugore, ndërkohë që presim që kamerat e Policisë Rrugore, po kështu të përcjellin atë pjesë sinjali që ka të bëjë me detyrat e Policisë Bashkiake dhe të Bashkisë në tërësi, tek Dhoma jonë e Kontrollit, pra bashkëpunimi është shumë efiçent dhe besoj se ky projekt do të ndihmojë edhe më tej rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në qytetin e Tiranës, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve, përmirësimin e sjelljes në trafik, rritjen e sigurisë si për drejtuesit e automjeteve edhe për kalimtarët, por ç’është më e rëndësishme dua të theksoj edhe njëherë se projekti ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës, përmirëson rritjen e konkurrueshmërisë së Tiranës, pra uljen e kostove ekonomike, të fshehura apo fare të hapura, që ka një trafik i keqmenaxhuar dhe në këtë mënyrë përmirëson indikatorët e zhvillimit ekonomik, që natyrisht janë ngushtësisht të lidhura me mirëqenien dhe punësimin në qytetin e Tiranës”
Policia Rrugore do të kalojë në varësi të Bashkisë?
Nuk ka absolutisht asnjë diskutim të hapur lidhur me këtë çështje. Policia Rrugore menaxhohet sipas ligjit nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake bashkëpunon ngushtë me të.
Drejtuesi i kompanisë
“Projektet e Bashës, në vëmendjen e investitorëve nga e gjithë bota”
Drejtuesi i kompanisë “Swarco Mizar”, Alexander Swarovski ka vlerësuar projektet e zhvillimit të kryebashkiakut Basha, të cilat sipas tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e sipërmarrësve nga e mbarë bota. “Tirana, së fundmi ka tërhequr vëmendjen e shumë sipërmarrësve ndërkombëtare me projektet që ju keni prezantuar, për zhvillimin e qytetit. Jam i bindur që vizioni dhe projektet që keni ju z Basha, do ta transferojnë këtë qytet në një qytet modern me standarde evropiane, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe efiçencës ekonomike të qytetit. Ne si Swarko dhe unë personalisht jemi shumë të lumtur t’u mbështesim Juve, në iniciativën për zhvillimin e transportit në qytet. Qëllimi dhe fokusi ynë është t’i sjellim Tiranës një nga qendrat e kontrollit të trafikut nga më modernët, ashtu siç kemi bërë me shumë qytete të Europës, në lindjen e Mesme dhe në SHBA. Ne kemi përfunduar projekte ne Rome, Torino, Bukureshti, Oslo, Stockholm, Hamburg dhe shumë qytete të tjera. Së fundmi, arritëm të fitojmë projektet e menaxhimit në Moskë, Buenos Aires, Kazan (Rusi) dhe Shkup. Ky është bashkëpunimi ynë i parë në Tiranë dhe shpresojmë për bashkëpunime të tjera në të ardhmen”, u shpreh drejtuesi i kompanisë Swarovski.