Berisha-Rama, gati negociatat direkte për presidentin
Berisha tërhiqet dhe jep sinjale për një takim me Ramën, që do të zhvillohet në orët në vijim. Negociatat e vërteta për Presidentin e ri të vendit kanë kohë për tu zhvilluar deri në raundin e tretë, por duket se palët kanë nevojë për një marrëveshje paraprake.
Të gjitha lëvizjet e shumicës së drejtuar nga Sali Berisha, sidomos me prezantimin e një kandidati konkret dhe mos zyrtarizimin e tij pa konsensusin e opozitës socialiste, thjesht po zbulohen si lëvizje taktike që sigurojnë pozita negociuese.
Meta paralajmëron takimin
Vetëm një ditë pasi Parlamenti dështoi në zgjedhjen e Presidentit, aleati i Berishës në qeveri, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka dalë në skenë me një tjetër ide e cila kërkon një përgjigje nga dy drejtuesit kryesorë politikë. Në vend të ofertës socialiste për një takim të zgjeruar të të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ai ka sugjeruar një takim të nivelit të lartë Berisha-Rama.
Një takim Berisha- Rama do të ndihmonte përshpejtimin e procesit, nuk kemi pse të humbasim ditë e javë në një situatë pritje se çdo minutë është e çmuar, vendi ka nevojë për shumë reforma- u shpreh kreu i LSI-së, gjatë mbledhjes së Lëvizjes së Gruas për Integrim.
Patozi konfirmon
Takimi Berisha-Rama është konfirmuar si lëvizje edhe nga numri dy i demokratëve, Astrit Patozi, i cili në një intervistë dje tek emisioni Opinion, ka lënë të kuptohet se po punohet në këtë drejtim. Kryeministri ka thënë vet pse nuk është takuar me Edi Ramën duke dhënë raste të takimeve të tjera. Gjithsesi, unë jam te njerëzit që besoj se duhet të ketë takim Berisha Rama, por nuk mendoj se një foto do të shërbejë për zgjidhjen. Nëse do të kishte takim Rama- Berisha, duhet të ishte i përgatitur…, tha Patozi. Nga ana e vet, homologu i tij socialist Gramoz Ruçi ka pohuar të njëjtën gjë në intervistën te Top-Story, duke shtuar madje se nëse ky takim zhvillohet, aty PS-ja do të prezantojë edhe kandidatët e vet. Në qoftë se kjo tavolinë institucionalizohet, kjo nuk do të thotë se pikat do të bisedohen sipas radhës që kemi caktuar ne. Këtu është çështje vullneti politik. Për të shkuar tek emrat duhet të vendosim rregullat e lojës. Do ulemi për Presidentin, do paraqesim parimet dhe filozofinë tonë dhe kriteret, tha ai. I pyetur mbi opsionin Nano në listën e kandidaturave, Ruçi ka nënvizuar se edhe çështja e tij është mirë të zgjidhet në negociatat mes dy drejtuesve politikë.
Ndërmjetësimi i takimit Berisha-Rama
Si paralele vlen të sillet në kujtesë viti 2002, kur pas rezolutës së Parlamentit Evropian për fenomenin e Dushkut në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Presidenti i ri erdhi si produkt i një marrëveshjeje dypalëshe Nano-Berisha, ndonëse socialistët asokohe e kishin shumicën e cilësuar. Nuk është e qartë nëse modeli i vitit 2002 që solli me vete një sërë emrash konsensualë në disa institucione kushtetuese të vendit, mund të imagjinohet si i zbatueshëm edhe aktualisht, por fakt është se ideja e Metës vjen pas deklarimeve të Berishës për reformat kryesore.
Kryeministri ka deklaruar disa herë se ai nuk mund të takojë kundërshtarin e tij për çështje me karakter teknik, por nuk ka munguar që ditë pas dite të zbardhë lëshimet relative që po bën në drejtim të reformës zgjedhore. Rrjedhimisht nëse ndodh, takimi Berisha-Rama ka për synim kryesor një emër konsensual dhe vështirë se mundet të përfshijë edhe paketën e zgjeruar të PSsë. Vetë Meta ka ndërmarrë rolin e ndërmjetësit, pasi edhe dje, sikundër bëhet e ditur, ka pasur një takim me Kryeministrin Berisha për të diskutuar zgjedhjet e mundshme. Takimi, sipas burimeve, u zhvillua në Kuvend në zyrën e kryetares Topalli.
Shtohen emrat, hyn në lojë edhe Shoqëria Civile
Ndërkohë që zhvillimet politike po ngurtësohen rreth çështjes së marrëveshjes mes dy partive kryesore, gardhi i kandidaturave është shpërthyer nga shoqëria civile. Vetëm dje, një sërë organizatash dhe shoqatash kanë adresuar ndaj Kuvendit të Shqipërisë një seri emrash që mund të merren në konsideratë. Mehdi Shkreli apo edhe Sokol Sadushi janë dy prej tyre, përveç Valdete Salës dhe kjo ndërhyrje nga jashtë që bëhet aktualisht e decentralizon të drejtën e propozimit të kandidaturave. Vetëm pak ditë përpara zhvillimit të raundit të dytë, opozita socialiste mbetet vetmja palë që jo vetëm nuk ka një kandidat të vetin, por nuk ka as edhe një qëndrim.
Vitore Tusha, një tjetër kandidate për Presidente
Partitë politike po shikojnë mundësinë për të gjetur edhe një kandidat tjetër për postin e Presidentit. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është kandidatja më e përfolur në negociatat e zhvilluar orët e fundit midis partive politike. Gjyqtarja Tusha ka lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 merr gradën shkencore Doktor i Shkencave Juridike. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.