E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës mundëson orjentimin turistik në rrugëtimin në kryeqytet

Bashkia e Tiranës ka përgatitur  një informacion turistik, i cili do të realizohet nëpërmjet dy pikave të instaluara në Aeroportin ''Nënë Tereza'' dhe në Zyrën e Informacionit që ndodhet në teatrin e Metropolit. Tashmë turistët e huaj që zbresin në Tiranë do të gjejnë orientimin e nevojshëm në rrugëtimin e tyre nëpër  kryeqytet. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës ''Projekti është realizuar me mbështetjen e GTZ (shoqëria gjermane për bashkëpunim teknik) dhe synon ofrimin e informacionit turistik për të gjithë vizitorët e mbërritur në kryeqytet''. Pika e  vendosur në Rinas gjendet në portën e mbërritjes së pasagjerëve në aeroport, dhe shërben si kontakti i parë njohës me qytetin. Në këtë pikë punojnë dy operatorë, të cilët ofrojnë informacion të përgjithshëm për vizitorët. Ndërkohë, ata i njoftojnë turistët për Zyrën e Informacionit Turistik që gjendet pranë Teatrit të Tiranës, nga e  cila  turistët mund të marrin një informacion më të detajuar dhe të hollësishëm për qytetin. Këto zyra janë pjesë e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, funksioni i së cilës mendohet  t’i japë një hov cilësor marketimit të Tiranës dhe vlerave të saj. Informacioni turistik përfshin njohjen me vendet për t’u vizituar, aktivitetet kulturore që ndodhin në Tiranë, muzeumet dhe galeritë e artit, akomodimin në hotele, historinë e qytetit, pra gjithçka që mund të jetë e dobishme për një vizitor të huaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›