E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës: Marrëdhëniet e Pangos në punë kanë qenë korrekte

Nga Tema

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me punën që ka bërë ish-drejtuesi Ylli Pango në këtë institucion.

Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediet theksohet se puna e ministrit dhe marrëdhëniet e tij kanë qenë korrekte.

“Të detyruar nga presioni i medias në ditët e fundit kundrejt stafit dhe punës së bërë në MTKRS falë këtyre viteve ndjejmë detyrimin moral dhe profesional për të informuar të vërteta më të qenësishme dhe të vlera lidhur me aktivitetin dhe sukseset e prekshme që janë imazhi real i kësaj ministrie.

Prej vitit 2007, puna në të katër drejtimet që mbulon Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nën drejtimin e z. Ylli Pango, ka njohur një rritje cilësore dhe sasiore lehtësisht të konfirmueshme nga të gjithë. Kjo punë është produkt i punës, seriozitetit dhe vullnetit të një stafi të përkushtuar, profesionist dhe teknik, që kanë bërë të mundur arritje thelbësore në turizëm, kulturë, rini dhe sport.

Të gjithë ata që prej shumë vitesh apo së fundmi janë bërë pjesë e stafit të MTKRS janë të vetëdijshëm për ritmin e lartë të punës, kërkesën e lartë të kërkuar në punë dhe korrektësinë që iu është kërkuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse. Vëmë në dukje që gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e ministrit në punë kanë qenë korrekte”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Më pas njoftimi paraqet disa projekte të realizuara gjatë kohës që Pango drejtonte këtë ministri.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për volumin e jashtëzakonshëm të punës, që është ndjerë në të gjitha skajet e territorit shqiptar, kudo ku ka institucione në varësi të MTKRS .

Në këtë aspekt nga pikëpamja profesionale nuk mund të vihen në dyshim rezultatet, të cilat janë reflektuar, jo vetëm në mediet vizive apo të shkruara shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare gjatë gjithë kësaj periudhe.

Si profesionistë të turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve shprehim falënderimin, respektin e treguar dhe reflektuar, por dhe debatet konstruktive, të cilat kanë një rezultat të përbashkët: atë të afrimit të një produkti cilësor artistik, kulturor, turistik, sportiv apo rinor nën drejtimin e ministrit, z. Ylli Pango.

Për sa më lart është e padiskutueshme që puna jonë do të vazhdojë me të njëjtin ritëm si një detyrim i yni profesional ndaj ligjeve të shtetit shqiptar dhe në shërbim të funksionimit të administratës publike”, - përfundon deklarata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›