Çështja "Gërdeci" - gjykata jep arrest me burg për Sokol Gjeçin

Shkon në 4 numri i të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të 2008 në fshatin Gërdec, pak kilometra larg Tiranës, kur, si rezultat i shpërthimit në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Forcat e policisë së Shtetit ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, një tjetër ish- punonjës të kompanisë shtetërore "Meico", pranë Ministrinë e Mbrojtjes, Sokol Gjecin, nën akuzën e "vrasjes së më shumë se një personi" dhe "shkatërrimit të pronës". I pandehuri Gjeci, është njohur sot nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me masën e sigurisë së "arrestit me burg" së dhënë ndaj tij. Sokol Gjeci, është i katërti i arrestuar për këtë çështje, pas ndalimit kohë më parë, me të njëjtat akuza, të ish- administratorëve të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, konkretisht ish- Drejtorit të Kompanisë "Meico", Ylli Pinari si dhe drejtuesit e firmës "Alba Demil", Mihal Deliorgji dhe Dritan Minxholli. Por, hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë përfshirë edhe disa ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, mes tyre ish- ministrin Fatmir Mediu, të cilët akuzohen për "shpërdorim të detyrës, e kryer në bashkëpunim" dhe po hetohen në liri. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, hetimet për çështjen "Gërdeci" janë drejt fundit dhe shumë shpjet materialet hetimore do të dërgohen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
...