E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shpërndan sloganin: “Vota për LSI, votë për Berishën”

Nga L.Progni

Rama mblodhi mbrëmë kryesinë e PS, ku është diskutuar për kartat e identitetit, për organizimin e fushatës elektorale, për financimin e partisë në fushatë, si dhe për mënyrën e organizimit të protestës së 15 marsit në kujtim të viktimave të Gërdecit.

Sa i përket çështjes së kartave të identitetit, Rama ka kërkuar nga anëtarët e kryesisë dhe sekretarët e qarqeve që të organizojnë të gjitha strukturat e partisë për të nxitur mbështetësit e PS që të pajisen me karta identiteti. Ky udhëzim vjen me qëllim që të mos humbasë asnjë votë e PS, dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët të mund të votojnë më 28 qershor.

Sa i përket çështjes së organizimit të fushatës elektorale, në mbledhjen e djeshme është theksuar se shumë shpejt në strukturat e partisë që nga qendra deri në bazë do të ketë udhëzime të qarta për mënyrën e organizimit të aksionit politik të PS në këtë fushatë. Ndërsa te çështja e organizimit të mitingut përkujtimor për viktimat e Gërdecit, Rama ka kërkuar vëmendjen e anëtarëve të kryesisë së PS që të punojnë në zonat ku ata janë të deleguar në mënyrë që ata të mund të sjellin në Tiranë sa më shumë protestues. Kjo për shkak se paralelisht me PS kanë paralajmëruar protestë në përkujtim të viktimave të Gërdecit edhe drejtuesit e LSI.

Në dy anët e bulevardit qendror të Tiranës do të zhvillohet gara e fuqisë midis dy partive të opozitës, PS e LSI, dhe qëllimi i secilës palë do të jetë grumbullimi i sa më shumë protestuesve për të dëshmuar mbështetje në elektorat.

Takimi me vendorët

Në takimin që pati dje paradite me të zgjedhurit vendorë të PS, Rama ka porositur ata që të organizohen për të vazhduar më intensivisht fushatën elektorale. Sa i përket çështjes së detyrave që kanë deputetë socialistë në fushatë, Rama është shprehur me vendorët që nuk është e nevojshme që deputetët të shëtisin nëpër zonat e tyre elektorale, pasi tashmë nuk jemi në sistem elektoral mazhoritar, por në sistem proporcional. Duke se kjo porosi që Rama i jep vendorëve, është një tjetër sinjal për deputetët sa i përket pasigurisë që ata kanë në ri-kandidimin e tyre për deputet, kryesisht në listat fituese. Një ndër udhëzimet që Rama iu dha dje vendorëve socialistë ishte edhe mënyra se si duhet të sillen drejtuesit e PS me ata anëtarë të LSI që kërkojnë të vijnë në PS apo ata që shfaqin shenja lëkundjeje. Parulla “Vota për LSI është votë për Berishën”, është paraqitur si slogan që duhet të përdorin drejtuesit e PS në fushatën e tyre për të rekrutuar sa më shumë anëtarë të LSI në PS. Drejtuesit vendorë kanë marrë udhëzime të ndryshme për zhvillimin e fushatës elektorale. Çështja e nxitjes së elektoratit socialist të shkojnë të pajisen me karta identiteti është aktualisht detyra kryesore e të zgjedhurve vendorë të PS.

Udhëzues për financimin e partisë në fushatë

Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS është paraqitur një udhëzues i brendshëm për financimin e partisë në fushatë. Ky udhëzues është i mbështetur në Kodin Elektoral dhe parashikon se si do të përdoren fondet që do merren nga shtetit në bazë të Kodit për financimin e partive politike. Në udhëzues parashikohet që gjithçka që shpenzohet për fushatë të regjistrohet në fatura në mënyrë transparente. Në të njëjtën kohë edhe donacionet që do të vijnë në mbështetje të PS për fushatën elektorale duhet të shpenzohen në mënyrë tërësisht transparente, në mënyrë që të respektohet Kodi Elektoral në pikën përkatëse.

Menjëherë pas organizimit të mitingut për Gërdecin, pritet që të mblidhet sërish Kryesia e PS për të përcaktuar datën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, ku dhe pritet të ketë zhvillime të reja sa i përket çështjes së kandidatëve për deputetë të PS. Pritet që në mbledhjet e ardhshme të forumeve të larta drejtuese të PS të përcaktohen edhe kriteret e kandidatëve për deputetë dhe të kryhen lëvizjet e nevojshme të anëtarëve të kryesisë në qarqet e vendit.

Meta sulmon Ramën: Nuk ka qenë asnjë ditë në opozitë

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim sulmoi ashpër në Konventën e Lëvizjes së Grave për Integrim kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Sipas tij, Rama s’ka qenë kurrë në opozitë dhe s’ka respekt për gratë e vajzat.

“Kryetari i kësaj partie përfaqëson në fakt pushtetarin më jetëgjatë në Shqipëri, i cili që nga marsi i 1998 e deri tani në mars të 2009 ka 11 vite rresht që nuk ka qenë asnjë ditë të vetme në opozitë.

Është ky zyrtar i PS, i cili për fat të keq po tregon çdo ditë edhe më shumë që nuk ka asnjë respekt për gratë dhe për vajzat shqiptare, sepse vazhdon duke i përdorur ato, sepse i përdor vetëm për të sharë apo për të provokuar kryetarin e LSI apo funksionarë të tjerë të kësaj partie. Natyrisht, kjo është një çështje e tij që t’i përdorë apo të fshihet pas tyre, ashtu sikurse është çështja e tyre që të keqpërdoren”, - tha Meta.

Kryetari i LSI tha se Rama nuk ka as merita për ndryshimin e qytetit të Tiranës.

“Është koha të na thuash se çfarë ke bërë gjatë 11 viteve pa ndërprerje në pushtet. Është koha të na thuash pse nuk ke bërë për 10 vjet gati kryetar bashkie një plan të përgjithshëm rregullues për Bashkinë e Tiranës dhe sigurisht se kjo ka qenë me qëllim për ta shkatërruar Tiranën, ashtu sikurse ka ndodhur çdo ditë, përmes degradimit dhe betonizimit që po pëson ky qytet, ku fëmijët nuk kanë më se ku të luajnë.

Ka ardhur koha që t’u thuash shqiptarëve se cilat janë meritat e tua në këto 10 vjet në krye të këtij qyteti. A mos do t’u thuash se ti ke i ke kthyer rinisë së Tiranës parkun “Rinia”? Nuk i gënjen dot, sepse parkun “Rinia” rinisë së Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë ia ktheu Ilir Meta, kryeministri i asaj kohe.

Mos do t’i thuash se ke rregulluar Lanën? Nuk i gënjen dot, se edhe këtë e ka bërë Ilir Meta. Mos do t’i thuash se ke bërë lulishtet rreth dhe PD dhe parlamentit? Nuk i gënjen dot, se edhe ato i ka bërë kryeministri, Ilir Meta. Ti veçse po ndërton kulla për kandidatët e tu për deputetë më 28 qershor, duke shkatërruar gjelbërimin në Tiranë. Apo do krenohesh me lejen që i dhe dhëndrit të Sali Berishës për të shkatërruar klubin Partizani dhe pa ta kthyer në një qytet betoni, vetëm e vetëm për të marrë si koncesion nga Sali Berisha shkatërrimin e liqenit, shkatërrimin e klubit Dinamo, shkatërrimin e Kopshtit Botanik, e kështu me radhë? Pra, është koha që t’u themi qytetarëve të Tiranës se çfarë është vërtet e re. Në rast se vërtet e re quhet për ty sjellja e standardeve të ministrit Pango, ne kurrë nuk do të jemi pjesë e kësaj politike të re, as ne, as familjet tona dhe as fëmijët tanë”, - akuzoi Meta.

Kodheli: Meta është patericë e Berishës

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, iu përgjigj deklaratave të kryetarit të LSI, Ilir Meta kundër Edi Ramës.

Kodheli tha se Meta nuk duhet të merret me gratë opozitare. Sipas saj, Meta është bërë patericë e Berishës që po shkatërron vendin.

“Jemi të shokuar nga berishizmi i Ilir Metës dhe nga ngjashmëria e tij me zëdhënësin e Sali Berishës, por kjo është zgjedhja e tij.

Sot jam këtu për t’i thënë atij të mos merret me gratë opozitare, që e thonë hapur atë që mendojnë.

Si njëra ndër to, i them se mua më nxjerr në publik kundër Sali Berishës dhe së fundmi edhe kundër tij, bindja ime se Sali Berisha po e shkatërron këtë vend, kurse Ilir Meta është bërë paterica e tij.

Ndaj duhet t’i vij turp për gjuhën që po përdor, duke bërë të revoltuarin, ndërkohë që çdo shqiptar revoltohet sot me këtë gjuhë, që çedukon fëmijët dhe dëshpëron qytetarët”, - tha Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›