E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës përcakton afatet kur do të strehohen qytetarët që kërkojnë shtëpi



Emanuela Sako

Edhe pse banesat me kosto të ulët janë ende në proces ndërtimi, qytetarët janë tepër të interesuar të bëhen pjesë e programeve sociale të strehimit. Rreth katër mijë aplikues në të gjitha njësitë bashkiake kanë kërkuar të përfitojnë një shtëpi me kosto të ulët. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës e pohuan dje këtë fakt për gazetën “Albania”. Të njëjtat burime shpjeguan se kërkesa të kësaj natyre ka në çdo minibashki, madje ato janë të shumta, duke treguar kështu se strehimi në kryeqytet vazhdon të jetë një problem i madh. Projekti për ndërtimin e 320 banesave sociale do të përfundojë në shtator dhe pritet të tenderohet në muajin nëntor. Ndërkohë që është parashikuar që punimet që do të kryhen për ndërtimin e banesave të zgjasin rreth një vit. Procedurat e aplikimit janë të hapura për të gjithë qytetarët që kërkojnë të bëhen pjesë e projektit. Të gjithë aplikantët do t’i nënshtrohen përzgjedhjes, pasi jo të gjithë do të jenë përfitues të banesave me kosto të ulët.
Statistikat
Bashkia e Tiranës ofron tre programe sociale në ndihmë të qytetarëve në nevojë të kryeqytetit. Qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë në një nga programet sociale, duke dorëzuar dokumentacionin e plotë pranë Bashkisë. Banesë me kosto të ulët kanë kërkuar 3372 aplikues në të gjithë qytetin. Ndërsa për banesë sociale me qira janë regjistruar 471 aplikues. Për tokë të pajisur me infrastrukturë aktualisht janë regjistruar 94 aplikues. Kërkesat për të përfituar banesa në të tria mënyrat janë të shumta dhe specialistët e Bashkisë do të bëjnë përzgjedhjen e vazhdueshme të kërkesave deri në ditën e shpalljes së përfituesve.
Aplikimi
Aplikimi për përfitimin e banesave me kosto të ulët kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të drejtorisë. Nëpërmjet këtij programi mundësohet arkivimi i të dhënave duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximi individual dhe i përbashkët i të dhënave, menaxhimi i dokumenteve plotësuese, aplikimi i sistemit të pikëzimit, formimi i listave të përfituesve etj.
Kriteret
Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet të cilat me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia ka vendosur që disa kategori të qytetarëve të kenë më tepër prioritet për shkak të kushteve ekonomike. Shpeshherë specialistët e kanë pasur vështirësi në vlerësimin e tyre për shkak të mungesave që kanë pasur në dokumentacionin e dërguar. Në të tilla raste aplikuesit përjashtohen nga skema e përfitimit.

box
Statistikat e kërkesave sipas tre programeve sociale të parashikuara në ligj janë si më poshtë:

Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 3372 aplikues.
Kanë kërkuar banesë sociale me qira 471 aplikues.
Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 94 aplikues.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se sipas njësive bashkiake numri i kërkesave të qytetarëve që kërkojnë të trajtohen me strehim është si më poshtë:

Njësia Bashkiake Nr.1 me 245 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.2 me 502 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.3 me 300 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.4 me 313 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.5 me 360 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.6 me 331 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.7 me 377 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.8 me 310 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.9 me 378 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.10 me 281 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.11 me 540 aplikues

Numri i përfituesve të menjëhershëm
37 është numri i aplikantëve për bonus qiraje, banorë pranë Maternitetit të ri (shtëpitë që u prishën nga bashkia)

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve (prioritetet)

Kanë përparësi individët dhe familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programet sociale, të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak dhe që kanë këto specifika:

Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji Nr. 7652 datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”.
Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar.
Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë.
Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror.
Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare.
Familjet me shumë fëmijë.
Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç.
Familjet që kanë ndryshuar vend banim për efekt punësimi.
Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›