E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimet e personave që mbajnë statusin e jetimit



Emanuela Sako

Personat që mbajnë statusin e jetimit sigurojnë disa përfitime nga shteti. Përfitimet që marrin jetimët në të gjithë vendin janë në sistemin arsimor dhe në shëndetësi, për t’iu ardhur në ndihmë për përkujdesjen shëndetësore dhe formimin intelektual të kësaj kategorie. Sipas vendimit të qeverisë, personat që kanë statusin e jetimit pajisen me librezë nga drejtuesi i Shërbimit Social Shtetëror. Bëhet fjalë për ata që nuk janë në marrëdhënie pune dhe që kanë të drejtë të përfitojnë shërbim shëndetësor dhe barna falas. Kjo bëhet sipas përshkrimit të problematikës që bëhet nga mjeku në plotësimin e recetës. Çdo vit qeveria vendos një fond të posaçëm për nevojat që ka kjo kategori personash. Sipas statistikave, në të gjithë vendin janë 583 fëmijë jetimë që rezultojnë të regjistruar në institucionet publike në vend, në OJF-të. Një pjesë e tyre janë të paregjistruar dhe nuk kanë mundësi përfitimi nga skema e përcaktuar nga shteti. Ata mund të jenë të strehuar në familjet e të afërmve të tyre, të cilët u kanë siguruar kushtet e jetesës.
Përfitimet
Fëmijët jetimë përfitojnë arsimim falas deri në moshën 18-vjeçare, në institucionet që janë në varësi të shtetit. Ata kanë të drejtë të ndjekin arsimin parauniversitar dhe shkollën e mesme në vendet ku jetojnë. Po kështu, të gjithë personat që mbajnë statusin e jetimit kanë të drejtë të kryejnë vizita falas dhe t’u rimbursohen nga ISKSH-ja barnat e detyrueshme për kujdesin shëndetësor të çdo pacienti jetim. Ata kanë të drejtë të ushqehen dhe të vishen falas gjatë moshës nga momenti i lindjes deri 18 vjeç. Por, për këtë kategori është përcaktuar që në rast se kërkojnë të ndjekin studimet universitare, të përfitojnë bursë të plotë nga shteti për shkak të pamundësive ekonomike. Nxënësit apo studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk shikojnë, përfitojnë falas veshmbathje, libra, fletore etj. Kjo kategori nxënësish apo studentësh përjashtohet nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat. Gjithashtu, këtyre nxënësve apo studentëve që kanë përfituar statusin e jetimit, u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
Lehtësirat
Nxënësit jetimë e përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor për rezultate jokaluese. Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet e Arsimit të Lartë dhe u paguhen çdo muaj, me kalim, në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Këto “kuota ushqimore”, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia ose komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë, dhe u jepen nxënësve vetëm me ushqim.

Numri i personave me statusin e jetimit
583 fëmijë jetimë në total
294 në institucione publike
344 në OJF

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›