E Diel, 1 Nëntor 2026

Industria minerare, investimet këtë vit arrijnë në 2,7 miliardë lekë



Industria minerare në Shqipëri, në 3 vitet e fundit, sidomos në 7 muajt e parë të vitit 2008, ka marrë zhvillim veçanërisht me rritjen e ndjeshme të investimeve private. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se investimet, nga 650 milionë lekë që ishin në vitin 2005, arritën në 2,7 miliardë lekë në vitin 2007. Rritja e investimeve është shoqëruar dhe me rritjen e nivelit të punësimit në sektorin minerar, ku nga 1800 veta, që ishin të punësuar në vitin 2005, ka arritur në 6000 punonjës. Krahas këtyre zhvillimeve, vihet re se ka ndryshuar dhe struktura e prodhimit në industritë minerare. Në ndryshim nga struktura e prodhimit të para viteve ’90, ku përveç mineraleve metalore tradicionale metalike si kromi, bakri dhe hekur-nikeli, nxirrej sasi e konsiderueshme qymyrguri, sot mbizotëron prodhimi i gëlqerorëve, argjilave dhe më pak kromi, bakri e hekur-nikeli.
Prodhimi minerar, që është rritur vit pas viti, pas një pezullimi afatgjatë, po arrin në rreth 3,5-4 milionë tonë minerale në vit.

Siguria ushqimore, 400 mijë gjedhë në të gjithë vendin do të regjistrohen

Siguria ushqimore në Shqipëri, e sidomos ajo për produktet blegtorale, është shumë e domosdoshme për t’i kuotuar ato në tregun europian. Për këtë qëllim Ministria e Bujqësisë, me anë të një financimi prej 1.2 milionë dollarësh nga buxheti i shtetit, ka nisur procesin e regjistrimit të blegtorisë (rreth 400 mijë gjedhë) në të gjithë vendin. Ky projekt është prezantuar dje në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, në Fushë-Krujë. Projekti ka për qëllim krijimin e kartelave shëndetësore të kafshëve bujqësore, me të gjitha të dhënat e nevojshme për sigurinë ushqimore që plotësojnë në prodhimet blegtorale. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, u shpreh gjatë këtij takimi, se “regjistrimi i blegtorisë është një nga proceset më të rëndësishme dhe një nga kriteret e BE-së për rritjen e sigurisë ushqimore dhe të eksporteve të produkteve blegtorale në tregjet e huaja”. Sipas ministrit Gjana, regjistrimi do të bëhet falas vetëm një herë, “pasi për viçat pasardhës fermeri është i detyruar me ligj ta kryejë me financimin e vet”. Regjistrimi i blegtorisë do të kryhet me intensitet të përqendruar në të gjitha zonat e vendit dhe parashikohet të përfundojë më 31 dhjetor të këtij viti. Blegtoria vlerësohet si një nga sektorët kryesorë në ekonominë shqiptare, që jep mbi 27 për qind të PBB-së.

Ndërtimi i HEC-eve, qeveria miraton 27 kontrata koncesionare

Qeveria shqiptare deri tani ka miratuar rreth 27 kontrata koncensionare për ndërtimin e HEC-eve, ndërsa janë në procedurë të negocimit 14 të tjera. Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, dje në analizën e punës për 7 muajt e këtij viti. “Deri tani janë miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, 27 kontrata koncesionare që i korrespondon një fuqi totale mbi 125 MW energji elektrike të prodhuar mbi 602.000.000 kilovat-orë dhe një vlerë investimi mbi 16 miliardë lekë, ndërsa janë në procedurë të negocimit 14 kontrata koncesionare”, -ka deklaruar ministri Ruli. Sipas tij, janë hapur 12 gara dhe po shqyrtohen ofertat nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ndërkohë që janë shpallur garat për 25 koncesione të reja kur janë në procedurë vlerësimi paraprak 32 propozime të reja. Aktualisht kjo ministri është duke negociuar kontrata për ndërtimin me koncesion të HEC-eve në lumin Devoll, me vlerë investimi 950 milionë euro, të HEC-it të Ashtës, me investim në rreth 130 milionë euro, të HEC-it të Skavicës, si dhe të HEC-eve në lumin e Vjosës dhe lumin Osum. Sipas tij, numri total i këtyre projekt-propozimeve të regjistruara dhe të trajtuara nga METE dhe strukturat e saj është 160, numër ky që i korrespondon 120 "ofertave të pakërkuara", - pasi në disa raste në METE janë depozituar disa projekt-propozime si oferta të pakërkuara për të njëjtin aks lumor.

BSH, shkëmbimet tregtare rriten me 18 për qind në 6 muaj

Vëllimi i përgjithshëm tregtar (eksport-importet) në 6-mujorin e parë të vitit 2008, u vlerësua 18 për qind më i lartë se niveli i të njëjtës periudhë të vitit 2007. Në raportin "Mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë shqiptare për 6-mujorin e parë të vitit 2008”, publikuar nga Banka e Shqipërisë, vlerësohet se shkëmbimet tregtare për këtë periudhë, arritën afërsisht vlerën 2038 milionë euro. Raporti vëren, se 6-mujori i parë i vitit 2008 u karakterizua nga një fluks i lartë shkëmbimesh tregtare me shumë vende të botës, duke zënë rreth 48 për qind në totalin e transaksioneve direkte. Edhe produktet minerale (që përfaqësojnë 43 për qind të eksportit të brendshëm), janë rritur me rreth 50 për qind gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.
BSH-ja, në raportin e publikuar bëri të ditur se kjo rritje ka ardhur si rezultat i shtimit të kapacitetit prodhues vendas në lëndë të para minerale si sulfuret, oksidet si dhe lëndët djegëse. Gjithashtu, metalet bazë gjatë këtij 6-mujori janë dyfishuar, duke rritur nivelin e përfaqësimit në totalin e eksportit të brendshëm, nga 24 për qind gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2007 në 35 për qind, në fund të tij. Sipas BSH-së, produktet minerale dhe metalet bazë, zënë peshën më të madhe të eksportit të brendshëm nga njëri rreth në tjetrin.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›