Rrezikohen privatizimet strategjike, OSSH dhe INSIG në prag të dështimit
Ervin Koçi
Disa prej sektorëve strategjikë ekonomikë në vend, asetet dhe pasuritë e të cilëve janë në prag të privatizimit, rrezikojnë të dështojnë. Sektorë kyçë si Energjetika apo INSIG-u, por edhe ndërmarrje të tjera, rrezikojnë që të mos blihen këtë vit nga investitorët strategjikë, ashtu siç kishte premtuar qeveria. Shkak janë borxhet e mëdha dhe rënia e vlerës që kanë këto ndërmarrje strategjike, të cilat gjithmonë e më tepër humbasin vlerën e tyre në tregun e privatizimeve, duke i mbajtur larg investitorët. Vetë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, e ka pranuar një fakt të tillë dje gjatë analizës 7-mujore për sistemin energjetik, duke pranuar nivelin humbjeve në rrjet në masën 35 për qind. Ministri Ruli tha se këto shifra ndikojnë në procesin e privatizimit të OSSH-së, për të cilën privatizimi është mënyra e vetme për reduktimin e nivelit të humbjeve dhe për ta shpëtuar atë nga një falimentim i mundshëm. Dashur padashur ministri i Ekonomisë, Ruli, i konsideroi të drejta vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për gjendjen në sektorin energjetik, duke pranuar problematikën e nivelit të lartë të humbjeve dhe arkëtimet ende të ulëta. Sa u takon humbjeve në rrjet, Ruli tha se angazhimi i ministrisë që ai drejton është që ky nivel të shkojë në shifrat 15 për qind në 5 vitet e ardhshme. Megjithatë, ministri Ruli shtoi se niveli i arkëtimeve është rritur me 80 për qind.
Gjenda e OSSH-së
Gjatë analizës ministri Ruli u shpreh se arkëtimet janë përmirësuar, pavarësisht se nuk kanë arritur targetat e kërkuara nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Duke iu referuar këtij shqetësimi, ministri Ruli premtoi se po punohet për minimizimin e humbjeve, megjithatë për këtë me përgjegjësi do të ngarkohet direkt kompania që do të blejë paketën kontrolluese të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Tenderi për privatizimin e OSSH-së është parashikuar të zhvillohet në shtator. Në garë janë katër kompani, “EVN”, “CEZ”, “ENEL” dhe "Stetmarker Energy", të cilat kanë kaluar fazën parakualifikuese dhe pritet që më 15 shtator të paraqesin në ministri ofertat e tyre. Shitja deri në 76 për qind e aksioneve të OSSH-së është konsideruar na ministri Ruli si “privatizimi më kompleks, më madhor, por edhe më i vështirë i realizuar deri tani”. Kompania fituese e këtij tenderi pritet t’i japë fund abuzimeve që janë vënë re deri sot me faturimin e energjisë elektrike, por edhe me arkëtimin e pagesave të konsumatorëve. Privatizimi i OSSH-së do ta shkarkojë shtetin shqiptar nga përgjegjësia e arkëtimit të të ardhurave nga KESH-i, por pritet të sjellë edhe përmirësime të ndjeshme në rrjetin e transmetimit, duke minimizuar humbjet në rrjet.
Privatizimet strategjike
Përveç OSSH-së, për të cilën nuk dihet se si do të veprohet, Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë deri tani një sërë privatizimesh të konsideruara si mjaft të suksesshme prej ministrit Ruli, ku vlen të përmendet ai i ARMO-s. Ministri Ruli nuk ka ngurruar që të përsërisë sërish të njëjtën deklaratë, se “METE do të përfundojë brenda këtij viti kalendarik, me sukses të plotë, të gjitha privatizimet strategjike”. Brenda vitit 2008, përveç OSSH-së dhe INSIG-ut, që janë në plan për privatizim, do të mbyllet procesi i privatizimit të 12 për qind të paketës shtetërore të aksioneve në shoqërinë “AMC”. Ministri Ruli tha se ka përfunduar vlerësimi dhe është klasifikuar si fituese kompania konsulente, e cila do të asistojë qeverinë shqiptare në procesin e vlerësimit dhe të shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë “AMC”.
29 Gusht 2008