Godo - Abdulkarim: Bashkëpunim për farmaceutikën dhe pajisjet mjekësore
Sistemi shëndetësor në vend do të ketë partnerë të huaj dhe bashkëpunime në fushat më problematike të Shëndetësisë.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah Al-Abdulkarim. Ambasadori Abdulkarim theksoi bashkëpunimin midis dy vendeve mike në fushën e Shëndetësisë. Ministrja e njohu ambasadorin me reformat e ndërmarra për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend. Gjatë takimit dypalësh u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e farmaceutikës dhe të pajisjeve mjekësore. Ambasadori siguroi mbështetjen maksimale në realizimin e reformave të ndërmarra, bashkëpunim në fushën farmaceutike dhe ndihmën që do të japë për pajisjet mjekësore, duke sugjeruar intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe me realizimin e një vizite të një delegacioni të Ministrisë së Shëndetësisë në Arabinë Saudite.
Gjeorgjina Kuli, drejtoresha e re e QSUT-së
Shkarkohet përfundimisht drejtori i QSUT-së, Mati Pepa. Vendin e tij e zë mjekja pediatre Gjeorgjina Kuli. Pas disa muaj debatesh mes ish-ministrit të Shëndetësisë Nard Ndoka dhe drejtorit të QSUT-së, Mati Pepa, largimi i këtij të fundit ishte i pashmangshëm. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ditën e djeshme mori pjesë në emërimin e drejtoreshës së re, e cila do të marrë frenat e drejtimit të qendrës spitalore më të madhe në vend. Ministrja e Shëndetësisë bëri prezantimin në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, para shefave të shërbimit. Godo vuri në dukje se problemet në Shëndetësi nuk mungojnë dhe për zgjidhje kërkoi mbështetje dhe bashkëpunim nga të gjithë mjekët. Ndërkohë që pritet që në QSUT të bëhen reforma në mënyrën e menaxhimit të barnave, pajisjeve apo buxhetit të përcaktuar për blerjen e tyre. Ministrja u është drejtuar mjekëve për të vënë në jetë energjitë, për të bërë të pamundurën në profesionin e tyre. “Kjo është një qendër spitalore universitare e vetmja në vend që ka përsipër të përmbushë tre atributet e saj diagnostiko-kurative, shkencore dhe didaktike dhe përmbushja e tyre është shumë e rëndësishme”, - u shpreh Godo. Drejtoresha Kuli shprehu besimin në mbështetjen e qeverisë, por dhe profesorëve, bashkëkohësve, studentëve, të cilët kanë mbajtur historikisht punën e QSUT-së, si dhe në bashkëpunimin. Po kështu, ajo kërkoi një punë të madhe të pedagogëve dhe mjekëve në Fakultetin e Mjekësisë për përgatitjen e kuadrove të aftë, që t’u përgjigjen kërkesave bashkëkohore.
Ish–drejtori, Mati Pepa, u shpreh se gjatë qëndrimit të tij në krye të QSUT-së ka pasur mjaft arritje. Por nuk përjashtoi mundësinë e problemeve të mëdha që ka pasur në këtë qendër spitalore. Ai theksoi se pavarësisht vështirësive të fundit,
QSUT -ja ka pasur arritje, por përsëri është larg asaj ku duhet të jetë një qendër spitalore universitare. Gjatë vitit të fundit të drejtimit të tij, QSUT-ja është përballur me një numër të madh problemesh, ku mungesa e medikamenteve krijoi një situatë kaosi. Po ashtu, shumica e pajisjeve apo laboratorëve pothuajse kanë qenë jashtë funksionit.
29 Gusht 2008