Bashkia e Tiranës po manipulon të vërtetën për ndërtimin e shkollës në objektet e uzinës “Dinamo e Re”

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) ka denoncuar sot manipulimin e së vërtetës nga ana e kryetarit te bashkisë së Tiranës përsa i përket truallit për ndërtimin e shkollës në objektet e uzinës "Dinamo e Re”. “Kthimi i pronës tek pronari i ligjshëm është detyrim kushtetues dhe është prioritar për qeverinë. Në këtë kontekst, dosja e plotë për terrenin dhe objektet e uzinës "Dinamo e Re" është dërguar për shitje në Ministrinë e Financave në korrik të vitit 2008, ndërsa kërkesa e bashkisë së Tiranës ka ardhur 4 muaj më vonë", sqarohet në një njoftim të Ministrisë së Ekonomisë. Në përgjigjen dërguar disa javë më parë, bashkisë së Tiranës i është shpjeguar se ky objekt ka hyrë në procedurë shitjeje dhe nuk mund të kthehet mbrapsht, pasi e drejta e pronës është e drejtë parësore. "Z. Rama po manipulon qytetarët e Bregut të Lumit në emër të shkollës, duke e njohur fare mirë çështjen si dhe pamundësinë për të proceduar më tej", vihet në dukje në reagimin e ministrisë, e cila vlerëson se bashkia e Tiranës është rast unikal në Republikën e Shqipërisë, pasi nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast me METE-n për kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm. "Nga 97 kërkesa të dërguara nga METE, z. Rama nuk i është përgjigjur asnjërës prej tyre. Dy ndër këto kërkesa janë edhe ato ku METE i kërkon bashkisë të shprehet për ndërtimin e dy shkollave në zonën e Porcelanit dhe atë të Kodër-Kamëz. Ndërtimi i shkollave në ato zona ishte i domosdoshëm, por jo aq fitimprurës dhe nuk hyn në axhendën e z. Rama", thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. Në njoftimin e METE-s denoncohen dhe rastet flagrante kur z. Rama ka ndërhyrë me shpejtësi sa herë që bëhet fjalë për terrene të destinuara për ndërtim apartamentesh, duke mos pyetur për pronarët, apo siç është edhe rasti i terreneve të ish-Kombinatit të Autotraktorëve në Tiranë, kur pronarëve të ligjshëm u është bllokuar procesi i kthimit të pronës, duke u bërë presion me anë të ndërtuesve që janë pranë tij, se nëse ata nuk pranojnë kontratat për ndërtim, prona nuk do t'u kthehet kurrë. "Tirana ka nevojë urgjente për ndërtim shkollash dhe jo thjesht për ndërtim pallatesh. Por, kryetari i bashkisë së Tiranës merr në shqyrtim vetëm ato raste kur miqtë i tij ndërtojnë dhe nuk kthen asnjë përgjigje përsa i përket çështjeve me interes për komunitetin, siç janë kthimi i pronës dhe ndërtimi i shkollave. Në këtë pikë, METE-s nuk i ngelet gjë tjetër veçse të propozojë ndërtim pallatesh, sepse vetëm kështu do të ketë mundësi të marrë përgjigje nga Kryetari Rama", thuhet në njoftimin e këtij dikasteri.
Reagon Shalsi: Padrejtësi sociale nga komunitetit të Bregut të Lumit
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, ka reaguar sot sërish ndaj akuzave që Kryeministri Berisha i ka bërë Bashkisë së Tiranës për mosndërtimin e shkollave dhe abuzimeve me fondet publike. Gjatë një prononcimi për mediat Shalsi, tha se ''ringremë zërin sërish për padrejtësinë e madhe sociale, që po i bëhet komunitetit të Bregut të Lumit, kur Kryeministri Berisha mediatikisht sulmon bashkinë se nuk po ndërton shkolla, kurse në zyrën e tij të punës tjetërson pronat dhe pasuritë e përbashkëta në prona private". Sipas tij, "trualli i Bregut të Lumit është fakt konkret i abuzimit me trojet që ne i kemi kërkuar për shkolla".
...