E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, përjashtohen dy avokatë

Autori i Lajmit: red.
Më në fund Gjykata e Krimeve të Rënda tregon autoritetin e saj. Gjatë seancës së djeshme trupi gjykues, duke parë mungesën e disa avokatëve, vendosi të përjashtojë nga ky proces gjyqësor avokatët Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia, të cilët mbrojnë interesat e kreut të kësaj bande, Lulzim Berisha. Ajo vendosi të zëvendësojë atë me kreun e Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Fatmir Brakën, me qëllimin e vetëm për të shmangur shtyrjet e herëpashershme, të cilat vijnë si rezultat i mungesave të shumta të avokatëve. Seanca e djeshme zgjati vetëm disa minuta, pasi në sallë nuk ishin të pranishëm disa avokatë dhe vetëm njëri nga të pandehurit, pasi pjesa tjetër duket sikur e kishin bojkotuar këtë seancë. Seanca e radhës do të mbahet pas dy javësh për t i lënë kohë avokatit Braka të njihet me dosjen. Procesi gjyqësor ndaj kësaj bande është një ndër të paktët ose i vetmi që ka njohur një numër kaq të madh shtyrjesh të njëpasnjëshme. Trupi Gjykues është gjendur i pafuqishëm përballë justifikimeve të avokatëve, pasi, sa herë që ata zëvendësoheshin me të tjerë, të pandehurit bojkotonin sallën duke kërkuar avokatët e tyre.
Ky lajm është publikuar: 10/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›