Shqipëria është e vendosur të paraqesë kandidaturën për në BE pavarësisht ngurrimeve

Shqipëria parashikon të paraqesë kandidaturën për statusin e vendit kandidat të BE-së deri në fund të qershorit, edhe pse kriza ekonomike dhe të panjohurat rreth ratifikimit të traktatit të Lisbonës nuk janë të favorshme për sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian, deklaroi kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Shqipëria mori "në parim" dritën jeshile nga presidenca çeke e radhës e Bashkimit Europian për të paraqitur kandidaturën e saj deri në fund të qershorit, por ende nuk ështe percaktuar një datë e saktë, shtoi kryeministri gjatë një interviste dhënë AFP-së në frëngjisht.
"Ramë dakord për të paraqitur kërkesën", shtoi Berisha. Me paraqitjen e kandidaturës së vendit të tij në Bashkimin Europian, kryeministri sigurisht që ka patur si pikësynim zgjedhjet legjislative të 28 qershorit, duke shpresuar që të përfitojë nga kjo iniciativë përpara shqiptarëve. Komisioneri europian për Zgjerimin, Olli Rehn, theksoi së fundi përpara disa mediave shqiptare se zhvillimi i mbarë i këtyre zgjedhjeve, konform standardeve europiane, ishte për Brukselin thelbësor dhe prioritar, përpara se Shqipëria të përparojë drejt perspektivave të saj europiane, e thënë ndryshe me paraqitjen e kandidaturës për statusin e vendit kandidat të BE-së. Zgjedhjet në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit në fillim të viteve '90, gjithmonë kanë lënë vend për kontestime dhe incidente mes grupimeve politike rivale. Megjithatë, Shqipëria ka miratuar së fundi një ligj të ri elektoral që pritet të bëjë të mundur shmangien e manipulimeve të ndryshme. Disa shtete anëtare të Bashkimit Europian e shohin me ngurrim paraqitjen e kandidaturave të reja në BE, ndërkohë që kriza institucionale e Bashkimit Europian, me ratifikimin që po i bëhet traktatit të Lisbonës dhe që u ndërpre me referendumin e Irlandës, nuk është zgjidhur ende. Paraqitja e kandidaturës është vetëm hapi i parë drejt sigurimit të statusit të vendit kandidat, që mund të zgjasë shumë kohë dhe që sigurisht kërkon miratimin e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Opozita e majtë shqiptare e ka shfrytëzuar këtë argument duke këmbëngulur në paraqitjen e kandidaturës pas zgjedhjeve legjislative. Një paraqitje e tillë rrezikon, sipas saj, të mbetet pa efekt për shumë kohë. Berisha e ka pranuar se kriza aktuale, e karakterizuar nga rritja e papunësisë, mund "të krijojë një ndjenjë ngurrimi" tek europianët. Një ngadalësim i vrullit të zgjerimit "rrezikon të shkurajojë opinionin publik", që në Shqipëri, në shumicën dërrmuese, është shprehur pro anëtarësimit në BE, theksoi kryeministri, duke iu drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Ai shprehu besimin se BE-ja do të dijë të vlerësojë "përpjekjet tona" veçanërisht në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2005, "ky vend mbizotërohej nga krimi i organizuar. Qytete, fshatra, rrethe të tëra ishin një lloj protektorati i krimit të organizuar. Ky i fundit kontrollonte doganat, pikat e kalimit kufitar, portet etj", theksoi ai. Sot, më tepër se një mijë kriminelë, që fshiheshin "jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hotelet me pesë yjë të metropoleve europiane" i janë dërguar drejtësisë, shtoi Berisha duke premtuar një "tolerancë zero" kundër krimit të organizuar. Në fund, Berisha shprehu kënaqësinë e thellë për anëtarësimin së afërmi të vendit të tij në NATO, në muajin prill, duke e vlerësuar këtë si "ngjarjen më të madhe për vendin tim pas pavarësisë" nga perandoria otomane, në vitin 1912. "Është një ëndërr që po bëhet realitet", shtoi kryeministri duke siguruar se vendi i tij ishte "i hapur" për çdo gjë që mund t'i kërkonte Aleanca Atlantike.
...