Rama, që një vit më parë, duhej të kish dhënë dorëheqjen
Edvini po kremton përvjetorin e parë të mandatit të dytë në opozitë, por është ende në krye të PS-së, pa zbatuar detyrimin moral dhe statutor të dhënies së dorëheqjes. Në vend të pranimit të humbjes, ai ka një vit që aktivitetin e vet politik ia kushton prishjes së imazhit të Shqipërisë dhe bllokimit të reformave që e afrojnë vendin me Perëndimin
Sot Edi Rama feston përvjetorin e parë, të mandatit të tij të dytë në opozitë. Nga sot e në vazhdim Edi Rama ka gjithë legjitimitetin dhe të drejtën e tij ti gëzohet këtij fakti. Sipas një llogarie të thjeshtë ai duhet ta shohë me optimizëm këtë fakt, sepse nga sot e në vazhdim, atij i ngelen edhe tre vjet (jo katër tashmë), që të ballafaqohet dhe të shpresojë në një tjetër rezultat, mundësisht edhe më optimist, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat i bie të zhvillohen diku nga qershori i vitit 2013.
Duke i besuar shprehjes frazeologjike, se “fillimi i mbarë është gjysma e punës”, ky fillim (jo i mbarë) i mandatit të dytë në opozitë i Edi Ramës, nuk është se premton shumë për ndonjë gjysmë punë shpresëdhënëse.
Një konstatim i tillë është i dukshëm, kur në një kalim shpejt e shpejt në memorie të viti që kulmon sot me përvjetorin e parë të mandatit të dytë në opozitë të Edi Ramës, ajo që të ngelet në mend si sukses i kryesocialistit është vetëm fakti që ai arriti të mbajë me thonj e gjithë mjetet e mundshme kryesimin e PS-së, përballë një gare fiktive për kreun e kësaj partie me atë...
Si ia thonë emrin...?!
Ah po, Maqo Lakrori....!
Në të tjerat Edi Rama pësoi një dështim, që total të thuash, është pak.
Në këtë vit, kur nuk ngelen shumë për të kujtuar, por edhe kur edhe emri i Maqos është i vështirë për t’u kujtuar gjithsesi nuk mund të ngelet pa kujtuar beteja donkishoteske e Edi Ramës, e tipit me mullinjtë e erës, por për kutitë e votimit. Ndërsa e gjithë kjo betejë, ishte një dështim që në nisje, mjetet dhe format e zgjedhura prej Edi Ramës, sikurse bojktoi i parlamentit, më pas protesta në rrugë, ngujimi në çadra dhe së fundi zhurma për asgjë, duke i lënë vendin njëra-tjetrës (këto mjete e forma), nuk bënin asgjë më shumë se sa konfirmonin rrugën pa krye të Edi Ramës. Në këtë rrugë pa krye, përpos bindjes së tij se sukseset integruese të Shqiëprisë në NATO dhe BE, si edhe në liberalizmin e vizave, i shtonin atij dëshirën për vetëpërjashtim nga të rreshtuarit e mundshëm si pjesë e këtyre sukseseve, zgjodhi në këtë vit të sapo mbyllur të bëhet pjesë e politikës së tij, ku anarshizmi u mpleks me xhelozinë, njëlloj si te ajo anektoda që tregojnë me atë fshatarin që kur Zoti i shprehu gatishmërinë t’i ofronte çfarë të donte, ai nuk i kërkoi asgjë atij (Zotit), veçse t’i merrte lopën që i kishte falur fqinjit të tij.
Edhe Edi Rama, njëlloj si fshatari xheloz, personazh i anektodës, pasi betonoi rikonfirmimin si kryetar i PS-së, çnuk ka bërë që shqiptarëve t’u vonojë sa të mundet, procesin e liberalizimit të vizave.
Nga sot Edi Rama, duke besuar se aksioni i tij politik, ku hapja e kutive, shkonin të pandara me frenimin e liberalizimit të vizave, kishin atë volum, sa të bënin që të kalonte, ndoshta shpejt një vit, prej disa ditësh, që kur është konfirmuar moshapja e kutive, si dhe liberalizimi i vizave, nuk përbëjnë më argumente që Edi Rama të mund të shtyjë po kaq “shpejt” edhe tre vitet e ardhshme të mandatit të dytë në opozitë. “Rrokullisja” e këtyre viteve , nga pikëpamja fizike apo kohore, sigurisht që do të ndodh pas diçka më shumë se një mijë ditë. Por që edhe të këto tri vite të mos mbahen mend vetëm për “protagonizmin” e Maqo Lakrorit, apo edhe për kërkesën për hapje kutish, në kushte kur së shpejti pritet të harrohet edhe “meraku” për mosliberalizimin e vizave, natyrisht Edi Rama duhet të ndryshojë diçka. Pjesë e këtij ndryshimi ndoshta mund të jetë edhe pranimi i shkrirjes me PS-në partitë e Skënder Gjinushit apo të Erion Veliajt. Por, sigurisht kjo shkrirje e mundshme, nuk duhet të ndikojë te Edi Rama, aq sa ai të shpresojë në një sukses të kësaj lëvizje politike, në kufijtë e të tremburit të kundërshtarit, sepse askush nuk mund të vesojë se kreu i PSD-së apo i G 99-së, janë vërtetë të frikshëm për kundërshtarin, sa realisht janë të frikshëm për njëri-tjetrin.