Bashkia e Tiranës, rritet deficiti buxhetor, biznesi i vogël nuk shlyen taksat
Drejtoresha e Financës Edlira Sollaku: Shkak është moslajmërimi në Bashki për mbylljen e biznesit
Eljona Lata
Shlyerja e taksave nga biznesi i vogël është bërë problem shqetësues duke rritur kështu deficitin buxhetor në Bashkisë e Tiranës. Sipas Drejtoreshës së Administrimit Financiar, Edlira Sollaku, shkak është bërë procedura ligjore që duhet ndjekur, nëse një biznes vendos të mbyllet. Sipas saj në momentin e falimentit, përveçse duhet të bëjë çregjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duhet të dërgojë një lajmërim në bashki për mbylljen e këtij biznesi. “Kur një biznes i vogël mbyllet, në disa raste pronari nuk shkon edhe në zyrën e Tatim Taksave për të deklaruar mbylljen e biznesit, kjo ka bërë që procedurat taksative kundrejt këtij biznesi të vazhdojnë pavarësisht se ky biznes është mbyllur” sqaroi dje për gazetën “Albania” drejtoresha. Sipas Sollakut peshën kryesore të biznesit në kryeqytet e kap biznesi i vogël prandaj dhe ky fenomen është kthyer në problem shqetësues.
Projektbuxheti
Sipas të dhënave vlera e përllogaritur nga taksat e bizneseve të vogla ishte menduar të kapte shifrën 1.250.000.000 lekë për vitin 2009 ndërsa të ardhurat nga kjo taksë kapin shumën 78.000.000 lekë. Parashikimi i të ardhurave ka marrë parasysh ecurinë gjatë vitit 2009, shtimin e strukturave të reja si dhe vlerat e munguara të debitorëve. Për vitin 2010, të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të kapin shifrën prej 80.000.000 lekë me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2009. Duke ju referuar planit vjetor të vitit 2009, të kësaj takse prej 1.250.000.000 lekë, sipas kalkulimeve dhe vëzhgimeve në terren të subjekteve që deri më tani nuk kanë kryer likuidimin e këtij viti, pritet që realizimi të arrijë në 1.125.000.000 lekë ose 90 % e parashikimit vjetor. Gjatë vitit 2009, janë regjistruar pranë QKR-së 3800 subjekte të reja të kategorisë “Biznes i Vogël”, ndërkohë që janë çregjistruar ose pezulluar rreth 2600 subjekte, për pasojë janë vetëm 1200 subjekte që realisht kanë funksionuar si të tilla dhe kanë likuiduar detyrimet e vitit.
Afatet
Afati i fundit për pagesën e këstit të parë të taksave vendore është data 20 prill, afati për këstin e dytë është 30 qershori, ndërsa afati për këstin e tretë është data 20 tetor. Sipas Bashkisë së Tiranës, në rast pagese të plotë të taksës brenda datës 20 prill, bizneset përfitojnë një ulje prej 10 për qind të detyrimit total. Në të kundërt, në rast të mosrespektimit të afateve, biznesi gjobitet me 25 për qind të vlerës së taksës. Kështu, qytetarët duhet të bëjnë të pamundurën për t’i paguar këto detyrime vendore, pasi në të kundërtën do të penalizohen. Në rast të mosmarrjes së detyrimit tatimor, për shkak të mungesës së adresës, ose adresës së gabuar, qytetarët janë njoftuar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, duke filluar nga data 10 prill. Taksa e biznesit të vogël është një detyrim vjetor, i cili është përllogaritur në mbështetje të deklaratës së xhiros së bërë nga vetë biznesi. Ajo e ka vlerën rreth 11400 lekë dhe ndahet në 4 këste të barabarta. Kësti i parë paguhet deri më 20 prill, i dyti deri më 20 korrik, i treti deri më 20 tetor dhe i fundit deri më 20 janar të vitit të ardhshëm. Taksa e ndërtesës ndahet në dy këste të barabarta. I pari paguhet deri më 20 prill, ndërsa i dyti deri më 30 qershor. Sipas Bashkisë së Tiranës, në rast pagese të plotë brenda datës 20 prill, bizneset përfitojnë një ulje prej 10 për qind të detyrimit total. Taksa e tabelës paguhet gjithashtu deri më datë 20 prill. Tabelat me sipërfaqe mbi 4 m2 do të llogariten si tabela reklamuese, të cilat kanë një tarifë më të lartë se tabelat e zakonshme. Edhe taksat e tjera, përgjithësisht e kanë afatin e fundit më 20 prill. Në rastet e mosrespektimit të afateve, biznesi gjobitet me 25 për qind të vlerës së taksës.
Gjakmarrja, fëmijët e ngujuar nuk shkojnë dot në shkollë
Gjakmarrja vazhdon të jetë një fenomen tepër shqetësues në shoqërinë shqiptare e sidomos për fëmijët. Në emër të Kanunit, këta fëmijë janë të detyruar të qëndrojnë vetëm brenda katër mureve të shtëpisë së tyre, pa pasur mundësinë të dalin e të jetojnë si gjithë fëmijët e tjerë. Marinela, Jozefina dhe vëllai i tyre Jozefi janë 3 nga 20 fëmijët e ngujuar në fshatin Bardhaj të rrethit të Shkodrës. Marinela vetëm 12 vjeç tregon se dëshira e saj më e madhe është të shkojë në shkollë. Por, falë një projekti të vënë në zbatim nga Drejtoria Arsimore Rajonale Shkodër, në dispozicion të këtyre fëmijëve është vënë një mësues, i cili punon me ta në shtëpi. Sipas Inspektorit të Drejtorisë Arsimore në Shkodër Ndjelko Poja në krahasim me disa vite më parë ka një rënie të numrit të fëmijëve të ngujuar. Një studim i organizatës së njohur “Fredoom House” raporton rreth 2.000 fëmijë të përfshirë në gjakmarrje në gjithë Shqipërinë.
Berat, vonesa në shpërndarjen e pasaportave biometrike
Vonesat e gjata në shpërndarjen e pasaportave biometrike kanë tensionuar sërish situatën në zyrat e shpërndarjes në Berat. Emigrantët janë irrituar pasi kanë humbur vendet e punës, ndërsa fëmijët e tyre vitin shkollor, vetëm nga mosmarrja e dokumentit të ri në kohë. Aplikuesit për pak sa nuk janë konfrontuar fizikisht edhe me policinë e rendit. Në zyrat e shpërndarjes në Berat vepron vetëm një operator që mbulon katër rajonet e qytetit por dhe 10 komunat e rrethit. Edhe në Elbasan është thuajse e njëjta gjendje. Pasi kanë pritur më shumë se një muaj për të marrë pasaportën, emigrantët kërcënojnë se do të bllokojnë punën e institucioneve lokale, por dhe rrugën nacionale. Nga punonjësit e firmës "Aleat" në Elbasan deklarohet se shpërndahen rreth 500 pasaporta në ditë, por sipas qytetarëve që mbajnë radhë prej një muaji, numri i tyre nuk shkon më shumë se 50.
11 Shkurt 2010