Aksidenti në Bathore, humb jetën 60-vjeçarja
Një grua ka mbetur e vdekur në vend nga përplasja që i shkaktoi një furgon ndërsa ecte në rrugë si kalimtare. Lajmi bëhet i ditur paraprakisht nga burimet policore, sipas të cilave bëhet fjalë për një 60-vjeçare me emrin Katerina Kolëgjokaj, banuese në Bathore të Tiranës. Mësohet se ajo është përplasur për vdekje nga një furgon mëngjesin e ditës së djeshëm, ndërsa menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po hetojnë ngjarjen dhe po punojnë për zbardhjen e të gjitha rrethanave të mundshme që e shkaktuan atë.
Qëlloi më armë nga makina, në kërkim autori
KORÇË – Qëllon me armë nga makina, shpallet në kërkim Llazar Kalemi. Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Korçës, ku sipas policisë, 19-vjeçari ka qëlluar me armë nga mjetit që drejtohej prej tij. Me marrjen e njoftimit u ngrit grupi hetimor, i cili shkoi në vendngjarje ku kreu veprimet e para procedurale dhe nga këqyrja e vendit u fiksuan dhe u morën në cilësinë e provës materiale tri gëzhoja model 56 të kalibrit 7.62 mm. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike dhe armëmbajtjes pa leje”, në ngarkim të Llazar Kalemit dhe vazhdon puna për kapjen e tij. Materialet përkatëse do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
11 Shkurt 2010