Policia Rrugore vendos gjoba
Tiranë - Forcat e Policisë së Tiranës kanë vazhduar kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre duke i ftuar të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare. Sipas të dhënave që konfirmohen nga burime zyrtare, vetëm gjatë ditës së djeshme policët rrugore kanë vendosur në Tiranë 949 gjoba, ndërsa kanë pezulluar 7 leje drejtimi. Shtohet se kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara apo parkimet dyshe në akset e Tiranës. Të gjitha këto masa janë ndërmarrë në kuadrin e programit të punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundërvajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre.
Prangoset i kërkuari për falsifikim dokumentesh
Korçë – Forcat e Policisë së Korçës kanë mundur të arrestojnë në flagrancë një person, i cili ishte shpallur në kërkim prej tyre. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga policia e këtij qyteti, duke saktësuar se i ndaluari është Kristo Karuni, 61 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Miras të Devollit. Arrestimi i tij u krye pasi Prokuroria e Korçës ka nxjerrë ndaj tij urdhër-ekzekutimi për zbatimin e vendimit të gjykatës, sipas të cilit ky person figuron si i dënuar me 200 ditë burg për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga Neni 186/3 i Kodit Penal. Nga ana e policisë u kryen veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
11 Shkurt 2010