E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisen nga burgu i Rodosit dy shqiptarët super-hajdutë

Nën shembullin e Alket Rizajt, dalin nga qelitë Berti Tabaku dhe Nderim Disha
GREQI – Dy shqiptarë arratisen nga Burgu i Rodosit në Greqi. Duke u frymëzuar nga Alket Rizai, i cili arriti dy herë të arratisej nga burgu më i madh i Greqisë, Berti Tabaku dhe Nderim Disha janë arratisur ditën e djeshme nga ambientet e burgut, ku ishin dënuar për mëse 30 vjedhje të kryera.
Sipas të dhënave paraprake nga Policia helene mësohet se Berti Tabaku, 22 vjeç dhe Nderim Disha, 20 vjeç, kanë mundur të arratisen duke prerë me sharrë metali hekurat e qelive. Pasi kanë dalë në oborrin e burgut, dy shqiptarët kanë mundur të kapërcejnë perimetrin e sigurisë dhe janë larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka alarmuar Policinë helene, e cila është vënë menjëherë në ndjekje të dy të arratisurve. Nga ana e saj, Ministria greke e Drejtësisë ka njoftuar se ndaj gardianëve do të merren masa të rënda për neglizhencën e treguar në punë. Policia ndërkohë ka nisur hetimet dhe kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e dy shtetasve shqiptarë. Burime policore thanë se kërkimet për gjetjen e dy të arratisurve janë shtrirë në të gjitha pikat dalëse të ishullit, porte dhe aeroporte, ndërsa operacionet po zhvillohen edhe në zonën malore të Rodosit, ku mendohet të jenë fshehur dy të arratisurit. Uniformat blu janë duke hetuar lidhur me ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm të dy personave të arratisur.
Nga të dhënat e para rezulton se Tabaku dhe Disha ishin dënuar nga Drejtësia greke për vjedhje. Ata kanë kryer së paku 30 vjedhje në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Precedenti Alket Rizai
Për shumë të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimin në Greqi, Alket Rizai shihet si një “idhull”, pasi ai ka arritur dy herë të arratiset në mënyrë spektakolare nga Burgu i Koridhalos në Greqi. Në të dyja rastet ai ka përdorur helikopterin për t’u arratisur. Arratisja e parë ka ndodhur orët e pasdites së datës 2 qershor 2006 dhe autorë të kësaj arratisjeje janë pikërisht shqiptari Alket Rizai dhe miku i tij grek, i dënuar për disa vepra penale. Sipas mediave greke në atë kohë, u mësua se ndërsa dy të dënuarit ngjisnin shkallët drejt helikopterit, të dënuarit e tjerë kanë mbetur të shokuar nga shfaqja, ndërsa policët, si të magjepsur, nuk kanë mundur as të lëvizin për t‘i ndaluar. Pasi kanë hipur në helikopter, shqiptari dhe miku i tij grek, Vasilis Paleokostas, i dënuar për rrëmbim dhe grabitje bankash, kanë ndaluar në një zonë periferike pranë varrezave të një prej lagjeve të Athinës dhe më pas janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Policia greke tha se dy të arratisurit dhe ndihmësit e tyre, pasi kanë braktisur helikopterin në bordin e disa motorëve shumë të fuqishëm, janë futur në thellësi të zonës së pyllëzuar dhe askush nuk ka arritur t‘i shihte më. Vetëm pas tre muajsh nga dita e arratisjes, Policia greke do të mund të arrestonte në një zonë bregdetare jashtë Athinës, Alket Rizain. Ndërsa arratisja e dytë është regjistruar më 22 shkurt të vitit 2009, ku sërish me një helikopter, Rizai u arratis nga ambientet e burgut, për t’u arrestuar disa muaj më vonë.
Pranga të dënuarit me 8 vite burg për prostitucion
FIER - Forcat e Policisë së Fierit kanë mundur të vënë në pranga një person të shpallur në kërkim, pasi ndaj tij ekzistonte një vendim gjykate me 8 vjet burg në mungesë për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”. Policia bën të ditur se i ndaluari është Alket Bytyçi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Mësohet se ai ishte shpallur në kërkim nga Policia e Bulqizës, pasi në vitin 2002 ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një vajzë me inicialet Z. K. Prandaj, kundrejt tij do të kryhet ekzekutimi i urdhrit të prokurorit dhe vendimit të Gjykatës së Bulqizës.
Në kërkim shqiptari për shitje kokaine
ANGLI - Një gjykatë britanike gjeti fajtor dhe dënoi 22-vjeçarin shqiptar Leonard Heta për akuzën e shpërndarjes së kokainës. Emigranti shqiptar, i cili ishte lënë në gjendje të lirë, pas ndalimit nga policia është zhdukur, ndërsa autoritetet angleze të rendit thanë se pas shpalljes së vendimit të Gjykatës janë vënë në kërkim të tij me qëllim ekzekutimin e vendimit. Shqiptari u kap me një sasi kokaine prej 1 mijë sterlinash vitin që shkoi, pas një kontrolli nga policia. Ai më pas u lirua me kusht, por ndërkohë që gjykimi vazhdonte, u zhduk pa lënë gjurmë, ndërsa policia bëri publik numrat e telefonave duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e të kërkuarit. Një zyrtar i policisë tha se shqiptari ishte arrestuar me njëzet doza kokainë, ndërsa shtoi se nëse nuk bëhet i mundur arrestimi i tij, 22-vjeçari duhet të jetë edhe tani duke shpërndarë lëndë narkotike. "Ne duhet ta sjellin këtë njeri para Drejtësisë dhe po kërkojmë për ndihmën e publikut për të bërë këtë të ndodhë", - thanë më tej zyrtarët e Policisë. Agjentët e Policisë po mbikëqyrin disa bare dhe klube nate në tri adresa ku besohet se i dënuari vazhdon të shesë kokainë. Dënimi i dhënë ndaj shqiptarit është 18 muaj burg për tri akuza: mbajtje, shpërndarje dhe furnizim droge.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›