E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranes serish apel per lirimin e trotuareve publikon 5 fazat e nderhyrjes

Bashkia e Tiranës bën sërish apel për lirimin e hapësirave publike deri më 1 tetor dhe shpjegon masat që do të marrë, 5 fazat e ndërhyrjes së Bashkisë, për të liruar rrugët e trotuaret.

Përmes zëdhënëses së saj, Anila Bisha, ky institucion ka lajmëruar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur subjektet që kanë zënë hapësirat publike në Tiranë, që të lirojnë vendet ku ushtrojnë aktivitetin, deri në datën 1 tetor.

“Kanë mbetur edhe dy ditë kohë, deri në përmbushjen e afatit.

Bashkia e Tiranës është e vendosur të zbatojë ligjin dhe t’i kthejë qytetarëve hapësirat e zëna si dhe të krijojë lehtësirat, që qytetarët e Tiranës meritojnë”, tha ajo.

Duke pohuar se plani i masave që do të zbatojë Bashkia, parashikon 5 faza:

1- Lirimin e hapësirave publike të zëna nga 84 subjekte fizike apo juridike, të cilët kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale.

2- Lirimin e hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje, pavarësisht nëse paguajnë ose jo detyrimet fiskale.

3- Lirimin e hapësirave publike, nga 107 automjete që dergjen të palëvizura prej kohësh në rrugët e Tiranës.

Bashkia e Tiranës u kërkon poseduesve të këtyre automjeteve, që të marrin masa për zhvendosjen e tyre, pasi në të kundërt këto mjete do të asgjësohen nga autoritetet bashkiake.

4- Lirimin e hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin pa asnjë bazë ligjore.

5- Lirimin e hapësirave publike nga të gjithë subjektet e tjera tregtare, duke përfshirë edhe ato që kanë paguar detyrimet deri më datë 1 tetor.

“Bashkia e Tiranës do t’u kthejë qytetarëve hapësirat që u takojnë, dhe është e vendosur të zbatojë ligjin.

Lista e plotë e 84 subjekteve të fazës së parë do të bëhet publike duke u shpallur në faqen zyrtare të Bashkisë si dhe në media.

Po kështu, do të veprohet edhe me subjektet e 4 fazave të tjera”, përfundoi Bisha.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›